‘’Nuk do të njihet asnjë vendim i strukturave paralele’’

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka raportuar para Komisionit për Legjislacion, për marrëveshjen mbi drejtësinë të arritur në vitin 2015 mes Kosovës dhe Serbisë. Tahiri tha se marrëveshja e Brukselit ka paraparë funksionimin e gjykatave në veri sipas ligjeve të Kosovës. Një fakt për këtë ai tha se dëshmi është dekretimi i 53 gjyqtarëve dhe […]
Tahiri tha se marrëveshja e Brukselit ka paraparë funksionimin e gjykatave në veri sipas ligjeve të Kosovës. Një fakt për këtë ai tha se dëshmi është dekretimi i 53 gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë para presidentit Hashim Thaçi.
Tahiri tha se nga sot shtrirja e sovranitetit me terma praktik po ndodh në gjithë vendin. I pyetur nga kryetarja e komisionit Albulena Haxhiu nëse marrëveshja është kushtetuese, ministri Tahiri tha se kjo marrëveshje është në përputhje të plotë me Kushtetutën.
Po ashtu, Tahiri theksoi se nuk do të njihet asnjë vendim i marrë nga strukturat paralele.
Kryetarja Haxhiu tha se ata konsiderojnë se është në shpërputhje me Kushtetutën, marrëveshja për drejtësinë. Sipas saj me këtë marrëveshje janë dy sisteme të drejtësisë. Ajo tha se nga dokumentet që ka siguruar shihet se Kosova ka pranuar me këtë marrëveshje mbi drejtësinë ti njeh të gjitha vendimet e gjykatave paralele dhe ka marrë emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Beogradi.
Por ministri Tahiri tha se betimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është bërë sipas procedurave të parapara sipas ligjeve të Kosovës.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, e quajti shqetësuese paraqitjen e atyre dokumenteve nga Haxhiu dhe të papranueshëm nëse Kosova ka pranuar kushte të tilla. Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi tha se me këtë marrëveshje shkelen parimet bazë të Kushtetutës.
Edhe deputeti Glauk Konjufca e ka quajtur antikushtetuese këtë marrëveshje, pasi sipas dokumentit të siguruar nga kryetarja shihet se paska një aneks që tregon se ato emërime janë bërë nga politika dhe se aktet juridike të marra nga strukturat paralele do të njihen nga sistemi juridik.
Mendim të njëjtë kishte edhe deputeti i Nisma për Kosovën Bilall Sherifi, sipas të cili ajo marrëveshje nuk është në frymën kushtetuese dhe se me vulën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq emërohen gjyqtarët dhe prokurorët serbë.












