‘’Nuk dua të besoj që ministri i Arsimit është produkt i programeve të akredituara’’

Një ditë para shkarkimit, Bordi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës ka refuzuar dhjetëra kërkesa të institucioneve të arsimit të lartë, kryesisht për programet studimore. Në total, Këshilli Shtetëror i Cilësisë në AKA ka pezulluar 140 programe studimore, përfshirë edhe të tilla që kanë pasur me nga 1 mijë studentë e me të ardhura milionëshe. […]
Kjo goditje e madhe ndaj studimeve të parregullta dhe revolta e pronarëve të këtyre institucioneve kanë mundur të jenë ndër arsyet që Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të shkarkojë Bordin e AKA-së, ka thënë Blerim Rexha në intervistën për “Koha Ditore”.
Ai nuk ka treguar detajet se nga cilat drejtime i ka ardhur presioni dhe cilat institucione të arsimit të lartë kanë afërsi me liderët politikë që tash drejtojnë Qeverinë. Por, ai e ka përsëritur atë që i kishte shkruar në letër të hapur, kryeministrit Ramush Haradinaj, se vendimi dhe ai pak arsyetim janë ofendues për të dhe për anëtarët e tjerë të bordit, përfshirë dy ekspertë ndërkombëtarë.
Rexha ka doktoruar në Universitetin Teknik të Vjenës dhe është profesor në Fakultetin Teknik të Universitetin e Prishtinës. Dikur ka qenë zëvendësministër i Energjisë dhe Minierave.
Afro tre muaj ka drejtuar edhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ndërsa nga tetori i vitit 2015 ishte kryetar i Këshillit Shtetërorë të Cilësisë (KSHC) në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA). Është shkarkuar në fund të shtatorit me vendim të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi e me kërkesë të kryeministrit Haradinaj.












