Milaim Zeka akuzoi rëndë në Kuvend Adriatik Kelmendin, ja si ia kthen ai

Deputeti Milaim Zeka në fjalimin e tij sot në Kuvend ka hedhur kritika të ashpra ndaj gazetarëve e mediave, duke thënë se po flasin publikisht e po i quajnë njerëzit ‘kriminelë’ nëpër studio televizive. Zeka, gjatë fjalës së tij ka folur edhe për një prokuror që sipas tij, aludonte në emrin e babait të moderatorit […]
Deputeti Milaim Zeka në fjalimin e tij sot në Kuvend ka hedhur kritika të ashpra ndaj gazetarëve e mediave, duke thënë se po flasin publikisht e po i quajnë njerëzit ‘kriminelë’ nëpër studio televizive.
Zeka, gjatë fjalës së tij ka folur edhe për një prokuror që sipas tij, aludonte në emrin e babait të moderatorit të njohur Adriatik Kelmendi.
“Unë e kuptoj çdo ditë e më shumë se ne jetojmë në një shtet policor, ku një polic i thjeshtë mund të arrestojë pa asnjë argument çdo deputet të parlamnetit të Kosovës, edhe ta fyej dhe ta poshtëroj atë. Për mua si deputet është tepër shqetësuese fenomeni dhe standardi i akuzave që është futur qoftë nëpër institucionet e shtetit qoftë në parlament, duke akuzuar njëri tjetrin me termin si kriminel, vrasës. Por akoma më shqetësues është fakti kur këto akuza bëhen publikisht nëpër studio televizive tona. Më ka rastisë këto ditë të shoh në studion e një televizioni nacional, I cili para një kohe bënte thirrje publike për luftë qytetare, ku disa analistë deh gazetarë ishin ulur në studion e një njeriut dhe akuzonin deputetët siç është rasti I Berishës se gjoja kanë dashur me vra gazetarë… Për Flamur Kelmendin e kam fjalën”, tha Zeka.
Ndërkohë, pas kësaj deklarate ka reaguar Adriatik Kelmendi.
Kelmendi shkruan:
“A ia vlen ta demantosh individin që të bën ftesë për ballafaqim në kanalizim?!
Si t’i bëhet e qartë se nuk je i nivelit të kanalizimit, “gazetarit” që kolegen gazetare e quan lopë, “politikanit” që kolegun politikan e quan “rrugaç” – nxit rrahjen e parë televizive në vend, “deputetit” që akuzon të tjerët për padenjësi në cilësinë e të paraburgosurit për mashtrim?!…
Situatë tragji-komike!
Mbetet: ta lësh atë ta bëjë punën e tij në kanalizim, kurse ti ta bësh punën tënde.
Në fund, Kosova e vogël, secili e njeh secilin, secili do ta vlerësojë punën dhe vlerën e secilit!”
Ndaj deklaratës së Milaim Zekës ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon keqpërdorimin e foltores së Kuvendit nga deputeti i NISMA për Kosovën Milaim Zeka me rastin e akuzave ndaj mediave dhe gazetarëve.
AGK konsideron se fakti pse Zeka ka imunitet kur flet në foltore, nuk ia lejon atij që të sulmojë dhe akuzojë gazetarët sa herë që ai futet në Kuvend.
“Deklarimi i sotëm i deputetit Milaim Zeka, për AGK-në përbën keqpërdorim flagrant të institucionit të Kuvendit. Zeka po e keqpërdor vazhdimisht imunitetin duke mos u kursyer në akuza dhe veprime të cilat më së paku i takojnë një deputeti”, thuhet në një deklaratë nga AGK-ja.
Sipas AGK-së institucioni i Kuvendit gjithsecilit deputet do të duhej t’i shërbente për diskutimin e temave përmbajtësore dhe jo si vend i shpërthimit në akuza të ulëta ndaj mediave dhe gazetarëve.
AGK, kërkon nga NISMA për Kosovën që të distancohet nga veprimet e deputetit Zeka në tendencë për t’i treguar opinionit publik që si parti politike mbështetë mediat e lira dhe sigurinë e gazetarëve në vend.
AGK, po ashtu dënon mosndërprerjen e fjalës së deputetit Milaim Zeka nga kryesuesi i seancës së sotme kur ky i fundit linçoi publikisht gazetarët Adriatik Kelmendi dhe Vehbi Kajtazi.
AGK kërkon nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Vesli që në të ardhmen të mos lejohen deklarime të tilla që kanë për bazë keqpërdorimin e kuvendit si dhe të imunitetit për të linçuar mediat dhe gazetarët në vend./Kosov












