Emigranti shqiptar shpenzon 60 mijë euro për shtëpinë, por kur kthehet e gjen të zaptuar (Video)

Sefedin Koçi, një emigrant shqiptar që jeton në Alaskë të SHBA-ve, tregon historinë e tij të mashtrimit me një apartament të blerë në Kamëz. Koçi thotë se pagoi 40 mijë euro për blerjen e shtëpisë dhe 20 mijë të tjera për arredimin e saj, të cilën më pas e lëshoi me qira. Në pritje të […]
Sefedin Koçi, një emigrant shqiptar që jeton në Alaskë të SHBA-ve, tregon historinë e tij të mashtrimit me një apartament të blerë në Kamëz. Koçi thotë se pagoi 40 mijë euro për blerjen e shtëpisë dhe 20 mijë të tjera për arredimin e saj, të cilën më pas e lëshoi me qira.
Në pritje të hipotekës nga investitori, Koçi mëson se shtëpinë e tij po e merrte përmbarimi.
Gjithçka kishte ardhur për shkak të një borxhi, që ndërtuesi i kishte marrë një tjetër personi.
Në një bisedë të regjistruar mes qytetarit Sefedin Koçi dhe ndërtuesit Viktor Meminaj, ky i fundit thotë se ka ngelur trokë dhe për më tepër i merr edhe para për karburant klientit të tij të mashtruar.
“Në vitin 2008 kam blerë një apartament në Mëzez. Ia kam blerë Viktor Meminajt, para noterit kemi bërë kontratat dhe i kam paguar paratë, një vlerë prej 40 mijë eurosh. I kam paguar paratë në dorë para noterit. Në vitin 2011 kam qenë këtu unë, që më është dorëzuar ky apartament nga vetë inxhinieri me çelësa në dorë, me procesverbal”.
Sefedin Koçi jeton në Alaskë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj hyrjen, që iu bleu dy sipërmarrësve, e lëshoi me qira.
“Nga viti 2011 e deri më vitin 2017 ka qenë me qira”, shprehet Koçi.
Por 7 muaj më parë, vëllai i tij e lajmëron se kishte shkuar përmbarimi për t’i bllokuar hyrjen.
“Kur vij nga Amerika me fëmijët, shkoj dhe i bie derës, kur shoh unë një femër. I them: ‘Ça do ti këtu?’, ajo më thotë mua: ‘Ti ça do këtu?’. I them unë që kjo është hyrja ime dhe ajo më thotë që ishte me qira. I them: ‘A ka mundësi të dalësh?”, ajo thotë: ‘Jo, e ka pronari me hipotekë këtë hyrje!’.”
Sefedin tregon se apartamentin, për të cilin pagoi 40 mijë euro dhe investoi 20 mijë të tjera, e kishte blerë Edmond Lybesha me 13 mijë euro.
Problemi me apartamentin ka ndodhur për shkak të kontratës që është lidhur midis investitorit të kompleksit dhe një subjekti privat.
Koçi ka zhvilluar një bisedë me investitorin Viktor Meminaj në një kafene, ku është filmuar gjithçka nga kamera e fshehtë e emisionit “STOP”.












