A e ka personalizuar Hashim Thaçi dialogun me Serbinë?

Lëvizja Vetëvendosje e ka problem që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të bëhet bartës i palës kosovare në dialogun me Serbinë, ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është se kanë qëndrim për këtë çështje. Këto opinione janë shprehur nga Glauk Konjufca e Ahmet Isufi në tryezën për diskutim të organizuar nga Instituti Demokratik […]
Lëvizja Vetëvendosje e ka problem që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të bëhet bartës i palës kosovare në dialogun me Serbinë, ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është se kanë qëndrim për këtë çështje.
Këto opinione janë shprehur nga Glauk Konjufca e Ahmet Isufi në tryezën për diskutim të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.
“Roli i Kuvendit në të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi”, ishte diskutimi që u zhvillua në mes të shefave të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, me përfaqësues të shoqërisë civile, akademisë dhe medieve.
Ahmeti Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se partia që ai përfaqëson kërkon rol vendimtar të Kuvendit në dialogun mes Kosovës e Serbisë.
Isufi ka shtuar se subjekti i tyre nuk ka qëndrim rreth idesë së Thaçit për ekip të unitetit për dialogun.
Shumë më kritik për rolin e presidentit ka qenë Glauk Konjufca, i cili ka deklaruar se “është gënjeshtër që Serbia e Kosova po normalizojnë marrëdhëniet”.
Sipas tij, “shteti serb çdo ditë të lume po e lufton ashpër Kosovën”.
Ai ka kritikuar Thaçin “që e ka personalizuar dialogun”, i cili, sipas tij, po varet nga karriera e presidentit.
“Roli i dialogut duhet t’i kthehet kuvendit”, tha Konjufca.
“Këndë e pyeti Thaçi që bëri dialogun me Serbinë në nivel presidentësh?”.
Kurse Elmi Reçica nga Partia Demokratike e Kosovës kishte qëndrim krejt të kundërt dhe tha se “presidenti duhet të jetë në krye të dialogut”, ndërsa “ujditë me Serbinë duhet të miratohen nga Kuvendi dhe dialogu është mënyra më e mirë për pajtim”.












