Çështja Rikallo mund ta tensionojë situatën në Kosovë

Protestat e paralajmëruar nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Donika Kada-Bujupi për të shkarkuar ministrin Rikallo, pas rrëzimit të mocionit nga ana e deputetëve të PAN-it, mund të çoj vendin në një situatë të tensionuar, të ngjashme me atë të vitit 2004, thonë analistët. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në seancën parlamentar të […]
Protestat e paralajmëruar nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Donika Kada-Bujupi për të shkarkuar ministrin Rikallo, pas rrëzimit të mocionit nga ana e deputetëve të PAN-it, mund të çoj vendin në një situatë të tensionuar, të ngjashme me atë të vitit 2004, thonë analistët.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në seancën parlamentar të së martës propozoj shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo pas akuzave publike të banorëve të lagjes “Dardani” se ai ka keq trajtuar shqiptarët gjatë kohës të luftës, por Haradinaj e kundërshtoi fuqishëm mocionin me arsyetimin se institucionet e drejtësisë nuk i kanë ofruar fakte lidhur me akuzat e pretenduara nga 20 dëshmitarë.
Vetëvendosje paralajmëron protesta
Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se ata janë të vendosur në thirrjen e protestave nëse organet e drejtësisë nuk e thonë fjalën e tyre lidhur me këtë rast.
“Është e sigurt se protestat do të ndodhin, por në fillim të shikojmë se si do të rrjedhin hetimet nga ana e sistemit të drejtësisë dhe sajimi i veprës ndaj Rikallos. Në rast se kërkesa për shkarkimin e tij është e padëgjueshme nga ana e institucioneve, atëherë protestat janë zëri që mund të artikulohet”, tha për “Bota sot”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi.
Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së Arben Gashi tha se në LDK nuk është diskutuar ende paralajmërimi i VV-së për protesta, por ai shtoi se në fillim duhet pritur institucionet e drejtësisë deri sa ta thonë fjalën e tyre.
Protesta dërgon në konflikt VV-në me qeverinë Haradinaj
Njohësi i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava, paralajmërimin për protesta për rrëzimin e Rikallos e sheh si shumë të rrezikshëm.
“Protestat në rrugë nga ana e VV-së, si pretekst i rrëzimit të Rikallos nga vendi i ministrit dhe qeveria, mund të merr një drejtim të padëshiruar dhe në Kosove të krijohet situatë e luftës e ngjashme me atë të vitit 2004”, tha Tërnava për “Bota sot”.
Ai shtoi se situata mund përkeqësohet dhe do të eskalojë edhe në konflikte mes VV-së dhe Qeverisë Haradinaj.
Opozita e kishte rastin për shkarkim
Kurse, analisti Mentor Tahiri thotë se opozita e pati mundësinë që Rikallon ta shkarkojë përmes mocionit të thirrur nga grupi parlamentar i LDK-së.
“Çdo protestë eventuale për shkarkimin e ministrit Rikallo, është tani e pakuptimtë, ngase opozita pati rastin që këtë të realizoj kur në Kuvend kishte vetëm rreth 40 deputetë të shumicës parlamentare. Respektivisht me këtë, çdo organizim i protestave eventuale për shkarkimin e Rikallos, duhet konsideruar si manipulim me opinionin publik”, tha Tahiri për “Bota sot”.
Ndryshe, në interpelancën e së martës votuan 40 deputetë të koalicionit qeverisës kundër propozimit për shkarkimit të Rikallos, kurse pro votuan vetëm 27 nga gjithsej 58 deputetët e dy partive opozitare.












