Basha u përjashtua nga seanca, Partia Demokratike do ta bëjë këtë veprim

Deputeti i PD, Ervin Salianji ka deklaruar se kryetari demokrat, Lulzim Basha nuk do dalë nga seanca, pas përjashtimit me 10 ditë nga Gramoz Ruçi. Në një lidhje telefonike për Report Tv, ai tha se deputetët e PD përfshirë edhe Bashën, do qëndrojnë në seancë derisa të rinisë në orën 13:00. “Maxhoranca kërkon një parlament […]
Deputeti i PD, Ervin Salianji ka deklaruar se kryetari demokrat, Lulzim Basha nuk do dalë nga seanca, pas përjashtimit me 10 ditë nga Gramoz Ruçi.
Në një lidhje telefonike për Report Tv, ai tha se deputetët e PD përfshirë edhe Bashën, do qëndrojnë në seancë derisa të rinisë në orën 13:00.
“Maxhoranca kërkon një parlament pa fjalë dhe debat. Kur shkon në shkollë i papërgatitur siç ka ardhur maxhoranca sot nuk jepet një javë shtesë, por vendoset katër. Mesa duket PS-së kjo çështje i dhemb shumë, janë të papërgatitur dhe po kërkojnë me çdo mjet të shtyjnë seancën e Kuvendit. Kështu i bie që për katër vjet të mos kemi seancë fare, shtyj një javë dhe pastaj edhe një javë tjetër. Ne do rrimë këtu në seancë, dhe fjalën e kryetarit të opozitës nuk ia jep kryetari i kuvendit i cili harron se neni 55 i agjitacion dhe propagandë i përket një kohe tjetër”, tha ai.
Cili është qëndrimi i Gardës?
Mos mendoni se janë kaq të fortë këta. Janë trembur dhe kanë ikur të gjithë deputetët e maxhorancës, përfshirë edhe qeverinë.
—
Seanca e Kuvendit të Shqipërisë u ndërpre sërish pasi opozita qëndroi në foltore, ndërkohë që kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka përjashtuar kryetarin e PD-së Lulzim Basha nga seanca për ‘pushtimin’ e foltores.
Ruçi hodhi poshtë kërkesën e PD-së për debatin për komisionin e reformës zgjedhore pasdite, ndërkohë që me votim u vendos që ky diskutim të shtyhej për javës tjetër.
Ndërkaq më herët, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka njoftuar ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore.
Komisioni do të jetë dypartiak, do të trajtojë rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe propozimet e partive që kanë marrë në zgjedhjet e fundit jo më pak se 1 për qind të votave.
“Përbërja e komisionit do të jetë e barabartë mes shumicës dhe pakicës. Komisioni do drejtohet nga dy bashkëkryetarë të PD dhe PS, Blendi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi. Ndërkohë, ekspertë ndërkombëtarë janë të ftuar”, ka deklaruar Ruçi.
Kryetari i Kuvendit ka shtuar se vendimet do të quhen kur të votohen nga të gjithë anëtarët dhe të kenë marrë konsensusin e bashkëkryetarëve.
Ndër të tjera Ruçi ka bërë me dije se, ditën e djeshme Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e Kuvendit.
Njoftimi i Ruçit është pasuar nga një debat mes krerëve të grupeve parlamentare Taulant Balla dhe Edmond Spaho. Ky i fundit ka kërkuar debat për çështjen, ndërsa Balla e ka refuzuar këtë kërkesë me argumentin se debati do të bëhet në komisionet parlamentare.
Në vijim të seancës fjalën e ka marrë kryetari i PD, Basha, i cili ka kërkuar nga kryetari të mbledhë Konferencën e Kryetarëve për të caktuar ditën e dabtit dhe i ka bërë thirrje atij që të mos vendosë me forcën e kartonëve.
“Jeni një mazhorancë fiktive, në aleancë me krimin. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjatë. Mblidh Konferencën e Kryetarëve dhe vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet debati për një javë. Shtyrja e debatit ka vetëm një qëllim, t’i mbyllësh gojën opozitës”, ka thënë Basha.
Nga ana e tij Ruçi ka sqaruar se, nuk ka sens të mblidhet Konferenca kur Parlamenti është mbledhur për rendin e ditës, shkruan TCH.
“Propozohet një votë pro dhe një kundër, qoftë për zgjedhje nga rendi i ditës. Një kryetar grupi ishte për debat, dy kryetarë grupesh ishin për diskutimin javën tjetër. Nuk mundet që Konferenca e Kryetarëve të marrë atributet që i ka seanca parlamentare. Kjo është një çështje e mbyllur”, ka thënë Ruçi, i cili i ka tërhequr vërejtje Bashës për faktin se ka bllokuar podiumin e Parlamentit.












