Procesi që tregon fytyrën e shtetit: 18 vjeçari ashkali u dënua nga gjyqtarët që u stepën para politikanëve

*Artikull i përgatitur nga gazetarja e Periskopit, Leonora Aliu. Tetë faqe është i gjatë aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë që i përcakton fatin 18 vjeçarit Shenoll Tahiri nga komuniteti ashkali në Podujevë. Askund nuk thuhet që i dënuari me burgim prej 7 vjetësh bëri grabitje me armë, ose nëse ky njeri e kishte kryer […]
*Artikull i përgatitur nga gazetarja e Periskopit, Leonora Aliu.
Tetë faqe është i gjatë aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë që i përcakton fatin 18 vjeçarit Shenoll Tahiri nga komuniteti ashkali në Podujevë. Askund nuk thuhet që i dënuari me burgim prej 7 vjetësh bëri grabitje me armë, ose nëse ky njeri e kishte kryer në fund të fundit grabitjen në fjalë
Dalja e lajmit në publik pasoi me shumë kritika ndaj vendimit nga deputetë, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile.
Por, jo vetëm për shkakun e lartpërmendur. E njëjta Gjykatë, jo rrallë ka marrë vendime të cilësuara si skandaloze, sidomos në ato raste kur bëhej fjalë për korrupsionin dhe keqpërdorimet zyrtare për të cilat akuzoheshin politikanë, zyrtarë shtetërorë a mafiozë.
Në të shumtën e herëve ishin dhënë dënime minimale, apo edhe fare.
E njëjta Gjykatë e kishte bërë terrorist aktivistin e ndjerë me emrin Astrit Dehari. Ai kishte qenë në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren kur kishte vdekur tragjikisht në fund të vitit 2016. Më pas, gjatë procedurës së mëtejme gjyqësore për aktivistë të tjerë në rastin në fjalë Gjykata kishte konstatuar se nuk kishte pasur prova kundër Astrit dhe të tjerëve.
Për rrjedhë, reagimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës që vjen pas kritikave për vendimin ndaj Shenoll Tahirit është i pavend. Kjo ngase ky këshill i kësaj gjykate ka mbetur pa “fytyrë” që të mbrojë veten.
Por, të kthehemi te rasti i Shenollit.
Dihet tashmë emri dhe mbiemri i tij, ashtu siç dihet se ishte 18 vjeçar nga komuniteti i diskriminuar ashkali.
Ajo që mësohet më tej, nga vendimi i Gjykatës Themelore marrë nga gjyqtarët Hamdi Ibrahimi, Shashivar Hoti dhe Naser Foniqi, është se i njëjti ishte edhe grabitës i një filiali të “Money Gram” në Podujevë. Tahiri pretendohet të ketë grabitur një shumë të hollash nën kërcënimin e armës në vlerë prej 400 deri në 450 eurosh. As vetë shuma nuk vërtetohet në vendimin që ka hiç më pak se tetë faqe.
I tmerrshëm dhe racist është edhe përshkrimi që i bëhet atij. “Në fytyrë ishte zezak, sepse duart i kishte pak më të bardha dhe fytyrën krejt të zezë” thuhet brenda deklaratës së njërit prej dy dëshmitarëve që citohen në vendimin e Gjykatës. Ai nuk ka qenë i sigurt nëse personi i përshkruar si “zezak” ka qenë Shenoll Tahiri.
Vendimi tetëfaqësh i Gjykatës Themelore në Prishtinë kallëzon që Tahiri është akuzuar më 10 shtator të këtij viti nga Prokuroria për shkak të veprave penale: grabitje dhe [gjatë shqyrtimit gjyqësor] për mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.
Për çudi, data e ngritjes së aktakuzës korrespondon me të njëjtën datë në të cilën ai thuhet të ketë kryer krimin në sheshin Zahir Pajaziti në Podujevë!
Pretendohet se i dënuari ka pasur të veshur një jakne [përshkrimin e së cilës gjykata nuk e jep në vendim] si dhe me një kapelë me ngjyrë të kuqe. Nën kërcënimin e një arme, markën e së cilës Gjykata thotë se nuk e di [duke qenë se asnjëherë nuk ka arritur ta gjejë] Shenoll Tahiri thuhet të ketë kërcënuar Besim Salihun, Lavdije Salihun dhe djalin e tyre, për t’ua marrë paratë me vlerë 400-450 euro.
Për Tahirin thuhet se deri në mbarim të përfundimit gjyqësor nuk e ka pranuar asnjëherë fajësinë për akuzat ndaj tij.
Gjatë procedurës gjyqësore, nga vendimi del fakti që Tahiri veç tjerash ka deklaruar se në kohën kur akuzohej të ketë kryer veprën penale të grabitjes së parave kishte qenë te noteri bashkë me një kushëri.
“…se nuk kishte të bënte asgjë me këto vepra penale, se në polici i kishin thënë se kishte kryer veprën penale, se në polici nuk kishte pranuar asgjë por një polic e kishte detyruar që të pranonte kryerjen e veprës”, thuhet në vendimin që më tej citon Tahirin të ketë thënë se pranimin e fajësisë, krejt në fund të procesit gjyqësor e kishte bërë nën presion të Policisë të cilët e paskan goditur “me boks në qafë dhe shkelma këmbëve”.
Pra, këtu kemi të përfshirë edhe pretendimin e të dënuarit se ndaj tij është ushtruar dhunë fizike. Më tej Tahiri ka shtuar: “…nga video-incizimi i kamerave nuk përputhet asgjë me mua, as kapela e kuqe, as jakna nuk përputhen me mua, nuk e kam atë stil të ecjes sikurse shihej personi i dyshuar; ai kishte mjekër më të gjatë… unë nuk e kam atë armë sepse nuk është gjetë as me rastin e bastisjes… nuk kam dijeni për plumbat që janë gjetur në shtëpinë time.”
Gjykata e pranon faktin se asnjëherë nuk është gjetur revolja me të cilën pretendohet se është kryer grabitja me armë, porse pretendon që në shtëpinë e Tahirit janë gjetur tre fishekë [shkas i cili ia ngarkoi të dënuarit edhe veprën e posedimit të paautorizuar të armës].
Dëshmitë e vetme të cilat janë marrë për bazë në Gjykatë janë ato të dhëna nga Besim Salihu dhe Lavdie Salihu, burrë e grua, por jo edhe të djalit të tyre që ishte prezent në ditën kur pretendohet të ketë ndodhur ngjarja.
As njëri e as tjetri dëshmitar nuk kanë qenë të sigurt nëse Shenoll Tahiri ishte personi që ua grabiti paratë. Ata kanë deklaruar se personi që kishte kryer veprën ka pasur një fashë në fytyrë, si duket si pasojë e lëndimit, dhe të cilit i janë dukur veç nofullat me ngjyrë. Ata e kanë përshkruar personin si “zezak”.
“…Një person kishte ngrit “pistolën” dhe kishte thirrë: “ nxjerrni paratë”; ky person për nga pamja në fytyrë ishte “ si zezak” sepse duart i kishte “ pak më të bardha ndërsa fytyrën krejt të zezë. Më pas ai i kishte thënë djalit të saj (të dëmtuarit Doart Salihu): “jepja” (paratë) – me qellim që të shpëtonte jetën e tyre”, është përshkrimi që Gjykata i bën dëshmisë së Lavdije Salihut. Nuk dihet se çka bënin të dëmtuarit në filial dhe si ishin ndodhur paratë në duart e të birit.
Fare në fund të procesit të gjymtuar gjyqësor, Gjykata thotë se Shenoll Tahiri kishte pranuar fajësinë dhe se veprën kishte deklaruar se e kishte kryer nën ndikimin e alkoolit.
Por, mos ky pranim fajësie ndodhi pas ndonjë presioni?
Gjykata pranon faktin se të akuzuarit iu është bërë me dije se pranimi i fajësisë merret si rrethanë lehtësuese për të në proces gjyqësor, derisa mohon se ka prova që dëshmojnë se nuk ka pasur trajtim konform ligjit ndaj të dënuarit nga ana e Policisë së Kosovës.
Sidoqoftë, deklarata vetëfajësuese e Shenoll Tahirit nis me një pohim shumë interesant: “Pa kurrfarë presioni pranoi se dje më datë 10 shtator ka kryer një vepër të keqe.” Se a ka pasur presion apo jo këtë mund të mos e marrim vesh kurrë. Sidoqoftë, Gjykata vazhdon citimin e deklaratës vetëfajësuese: “Dje në mëngjes kam shkuar në qytet dhe i kam pirë disa birra dhe kam filluar të trullosem… më pas kam shkuar dhe i kam blerë disa birra – me sa më kujtohet te Pranvera ’99 – dhe kam shkuar në shtëpi ku i kam pirë dhe jam dehur,”
“Pasi jam pirë, e kam marrë alltinë të cilën e mbaj qe 3 vjet në një sanak [sënduk]. Me atë allti kam shkuar në qytet ku u futa në një bankë afër Ëmbëltores Kimi. Aty në bankë kanë qenë dy persona, pra një burrë dhe një grua. Unë ua kam drejtuar alltinë, të cilën e kisha pa plumba, dhe iu thashë të m’i jepnin paratë në vlerë prej 400 deri në 430 euro. E kam ulë kryet dhe kam ikë duke kaluar nga e njëjta Ëmbëltore e pastaj kah Gjykata dhe kam shkuar prapa kafeneve të cilat gjenden përballë ndërtesës së re të Regjistrit Civil. Kjo është hera e parë që unë kam kryer kësi vepre të keqe, e për të cilën pendohem sinqerisht…”
I pyetur nga policia se “ku e ka lënë kapelën e kuqe dhe xhemperin”, i dënuari është përgjigjur se “i ka kallur në një shporet në oborr… për mos me u habit dikush me i veshë që më pas të identifikohej nga policia.”
Pastaj, i pyetur se “ku e kishte lënë armën të cilën e kishte përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, i akuzuari deklaron se “nuk i kujtohet, se me siguri i ka rënë dikund duke qenë se ishte i dehur”.
Pra, kështu vetëfajësohet i dënuari 18 vjeçar.
Çka nuk na tregoi Gjykata për Shenoll Tahirin?
Roli i Gjykatës nuk mund të shihet ndryshe veçse si ai i një organi të vënies së rendit dhe ligjit, dhe interpretimit të ligjeve në atë formë që konfliktet mes njerëzve të zgjidhen paqësisht. Por jo çdoherë gjykatat vendore kanë arritur të na bindin se në fakt janë të përkushtuara për një gjë të tillë. Shumë lëndë kanë stërmbushur sirtarët e tyre duke mbetur të pazgjidhura. Me mijëra e mijëra lëndë trashëgohen përvitshëm në gjykatat tona si dështim i përfundimit të tyre me sukses dhe në afate ligjore.
Ajo çka tregon rasti i Shenoll Tahirit është se ka raste kur Gjykata mund të vendos me shpejtësi marramendëse. Tahiri u akuzua, sipas shkresave të lëndës, në të njëjtën ditë kur ka ndodhur krimi i pretenduar, pra më 10 shtator të këtij viti. Si duket prokurorja e rastit nuk ka pasur fare nevojë për ta hetuar rastin para ngritjes së aktakuzës. Jo pak e çuditshme meqë edhe hetimet kanë procedura dhe para se të ngrihet një aktakuzë, fillimisht duhet të merret aktvendimi për nisjen e hetimeve. Dhe, e çuditshme e ironike njëkohshëm është se Shenoll Tahiri i kishte mbushur 18, dmth ishte bërë i rritur, veç dy ditë më parë [datëlindja e tij është 8 shtator 2000].
Për më shumë, Gjykata në një periudhë veç katër muajsh arriti të zgjidhte rastin duke e dënuar të pandehurin që sapo i kishte mbushur 18 vjet dhe që i përkiste komunitetit ashkali [që nuk e dimë nëse lejohet të komentojmë përkimin me përshkrimin e dëshmitarëve si ‘zezak’.
Asnjëri nga dëshmitarët nuk ka deklaruar se Shenolli është “zezaku” për të cilin e kanë pasur fjalën. Nuk është gjetur as kapela, as jakna dhe askund nuk përshkruhet si e ka kryer veprën dhe çfarë ka bërë me paratë e vjedhura. Ta kemi parasysh poashtu që paratë e vjedhura do të mund të zbuloheshin fare kollaj nëse ai ka bërë ndonjë blerje në cilëndo pikë të shitjes; që ka aparaturë për vërtetimin e tyre, e kështu me radhë. Aq më tepër, arma me të cilën thuhet të ketë kryer grabitjen, e e cila do t’i kushtojë me 7 vjet burg Tahirit, zyrtarisht nuk ekziston. Nuk është gjetur. Nuk dihet çfarë marke ka, dmth kush e ka prodhuar.
Për më tepër, askush në Gjykatë duket të mos ketë shfaqur interes që të pyeste të dënuarit për markën e pistoletës që e mbante të fshehur në sënduk për tri vjet. Dhe poashtu, se nga e mori duke qenë se para tre vitesh ai del të ketë qenë vetëm 15.
Poashtu, duket se pyetje nuk i janë bërë as nëse ka pasur ndonjë lëndim më datën 10 shtator, apo nëse ka pasur fashë në fytyrë – duke qenë se kësisoj del i përshkruar nga dëshmitarë okularë.
Për rrjedhë, Gjykata ka dështuar të ofrojë përgjigje në pyetje tejet bazike që do t’i lindnin secilit që do ta lexonte pa paragjykim vendimin e saj.
Në anën tjetër, ka një ironi të paevitueshme. Dy nga tre gjyqtarët që vendosën ta godasin me grusht të shtetit 18 vjeçarin nga komuniteti ashkali, e kanë pasur dhe e kanë mundësinë që të njëjtin ta tregojnë edhe kur bëhet fjalë për politikanë të fuqishëm. Asnjëri deri më tash nuk e ka bërë.
I pari quhet Hamdi Ibrahimi, ish kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë. I dyti quhet Shashivar Hoti, gjyqtari që ka në dorë fatin e Adem Grabovcit të PDK-së dhe rastin Pronto.
Disa fjalë për Hamdi Ibrahimin dhe Shashivar Hotin
Kur në vitin 2014 u kryen disa arrestime mbi dyshimin e privatizimit të kundërligjshëm të Fabrikës së Akumulatorëve në Podujevë [ndër të cilët kishte qenë edhe deputeti i LDK-së me emrin Naser Rugova], kjo fabrikë [akronimi: FAN] kishte qenë në hipotekë në Bankën Raiffeisen, për një vlerë afro 5 milionësh, të cilën blerësi i saj që quhet Agim Deshishku e kishte vënë kundërligjshëm.
FAN-i ishte privatizuar nga Deshishku, shumë kohë para se ai të arrestohej bashkë me të akuzuarit tjerë për rastin, e megjithatë nuk kishte kaluar asnjëherë në pronësi të plotë të tij duke qenë se kishte dështuar të kryente obligimet që dilnin nga kontrata me Agjencinë Kosovare të Privatizimeve [AKP], e e cila përfshinte investimet në fabrikë. Rrjedhimisht, ai nuk ka pasur të drejtë që t’i fuste në hipotekë asetet e saj përveç nëse një gjykatë qëdnrore do ta jepte lejen për një gjë të tillë.
Asokohe, ishte kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga Podujeva, që sipas shkresave të lëndës të cilën po e hetonte atëbotë prokurori special Admir Shala, kishte bërë disa telefonata tek gjyqtarët në të njëjtin qytet për të kërkuar që të përshpejtohej adresimi i ankesës së Deshishkut, për t’ia lejuar vënien në hipotekë të aseteve që ende nuk ishin të tijat, por të shtetit. Mbi 5 milionë llogaritej dëmi i humbjes së këtyre aseteve të FAN-it për shtetin. Fundi i këtij procesi pritet ende të shihet.
Ashtu qysh pritet të shihet edhe nëse Shashivar Hoti do të ketë grusht të fortë në rastin e Adrem Grabovcit dhe të akuzuarve tjerë në rastin Pronto.
Njëri ndër rastet më të mëdha që po gjykohet aktualisht në sistemin tonë të drejtësisë është rasti i aferës “Pronto”.
Aktakuza e njohur si ‘Pronto’, është ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës në prill të këtij viti.
Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, përfshirë një ministër, ish deputetë, zëvendësministra dhe ish- sekretarë të përgjithshëm të ministrive. Kur kjo lëndë ishte dërguar tek krimet e rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Hoti punon si gjyqtar, ishte pikërisht ky që pasi e kishte pranuar aktakuzën e aferës “Pronto”, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e kishte vendosur që ketë rast t’ia dërgonte për gjykim Departamentit të Përgjithshëm Penal. Si duket për Hotin, grabitja e 400 eurove është krim më i rëndë, se sa rasti “Pronto”. Ishte ankesa e prokurores speciale të rastit, Drita Hajdari që kishte bërë Apelin ta kthejë lëndën ta kthejë në Departamentin për Krimet e Rënda tek i njëjti gjyqtar.
Por Hotit prapë duket se nuk iu është dukur krim mjaftueshëm i rëndë për të zgjuar interesin publik. Ai e kishte mbajtur shqyrtimit fillestar të akuzës në rastin “Pronto” duke mos e lejuar leximin e aktakuzës për publikun me kërkesë të avokatëve mbrojtës edhe përkundër insistimit të prokurores që aktakuza të lexohej, një praktikë jo e zakonshme gjyqësore.
Gjatë karrierës së tij si gjyqtar në Krime të Rënda, Shashivar Hoti, ka ndarë drejtësinë në disa raste të profilit të lartë.
Ndër to është rasti i ish- kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, ku gjyqtari Hoti kishte vendosur që ta zhvillonte gjykimin me dyer të mbyllura për publikun.
Hoti kishte ndarë drejtësinë edhe në rastin e Bajram Pajazitit, vëllait të heroit Zahir Pajaziti, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës, edhe ky rast kishte përfunduar me aktgjykim lirues.
Aktakuza për keqpërdorim të detyrës ndaj Murat Mehës, Ismet Kryeziu dhe Nemanja Spasiqit, ishte hedhur poshtë me vendimin e këtij gjyqtari, vendim i cili u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit.
Pra edhe Shashivar Hoti, edhe kolegu i tij Hamdi Ibrahimi, e kanë pasur mundësinë ta tregojnë fuqinë e tyre në rastet e krimeve të profileve të larta. Por nuk e bënë.
Mbetet të shihet nëse rasti i Shenoll Tahirit do të inkurajojë ata që ta bëjnë në të ardhmen, e të tregojnë fuqinë e shtetit, edhe ndaj të “fuqishmëve” që kanë zaptuar shtetin njëlloj si ndaj personit që u përshkrua “si zezak”.
Më poshtë e keni AKTVENDIMIN:
PKR.Nr.247/2018
NË EMËR TË POPULLIT
GJYKATA THEMELORE NË PRISHTINË –Departamenti për Krime të Rënda në përbërje prej trupit gjykues nga kryetari i trupit gjykues-gjyqtari Hamdi Ibrahimi, anëtarëve të trupit gjykues:gjyqtarit Naser Foniqi dhe gjyqtarit Shasivar Hotime pjesëmarrjen e procesmbajtëseses Lirije Berisha, dhe të përkthyesës së gjykatës Blerta Krusha,në çështjen penale të tani të akuzuarit Shenoll Tahiri të cilin sipas autorizimit e mbron avokatja Millka Millosavljeviq nga Graçanica për shkak të veprave penale: 1.Grabitje nga neni 329 par. 3 lidhur me par.1 të KPRK-së, dhe 2.Mbajtje në pronësi,kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së, i akuzuar nga Prokuroia Themelore në Prishtinë sipas aktakuzës PP.I.nr.230/2018 të dt.17.09.2018,aktakuzë kjo e precizuar në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në datën 10.10.2018 , pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të mbajtur në datën 10.12.2018 në të cilën kanë prezentuar prokurorja e shtetit Javorka Perlinqev,i akuzuari dhe mbrojtësja e tij,i dëmtuari Besim Salihu dhe e dëmtuara Lavdije Salihu, në datën 11.12.2018 mori dhe të njejtën ditë ,publikisht shpalli këtë:
A K T GJ Y K I M
I akuzuari Shenoll Tahiri nga i ati Avni dhe nëna Velime e gjinisë Rexhepi i lindur në datën 08.09.2000 në Podujevë ku edhe jeton,rruga “Ali Ajeti”Lagja “Adem Podujeva” ka të kryer shkollen fillore,ashkali,shtetas i Republikës së Kosovës,me nr.personal:1243060806,
ËSHTË FAJTOR
Sepse:
1.Në datën 10.09.2018 rreth orës 12:20 në Podujevë,në rrugën “Zahir Pajaziti” në Filijalen e “M0neygram” me qellim që vetës apo personave tjerë ti sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror,me përdorimin e forcës dhe të kanosjes serioze ka hyrë me armë zjarri-pistoletë në duarë duke e drejtuar kah pronari i “Moneygram”tani i dëmtuari Besim Salihu duke e detyruar që t’ia jap paratë e gatshme në shumë prej 400,00 Euro dhe në atë mënyrë përvetësoi sendin e huaj të tani të dëmtuarit Besim Salihu,e pas kësaj me armë në dorë është larguar nga vendi i ngjarjes,-
- Me këtë ka kryer veprën penale: Grabitje nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.
2.Në datën,kohën,dhe vendin si në pikën 1 të dispozitivit të këtij aktgjykimi gjatë kryerjes së veprës penale të grabitjes me vete ka pas armë zjarri,pistoletë të markës së panjohur e cila nuk është gjetur,ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë familjare të tani të akuzuarit në datën 12.09.2018 në rrugen “Ali Ajeti” në Podujevë,janë gjetur tre fishek për pistoletë për të cilët nuk kishte leje nga organet kompetente,-
-Me këtë ka kryer veprën penale Mbajtjes në pronësi,kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së
Prandaj kjo gjykatë të akuzuarit Shenoll Tahiri i cakton dënimin për secilën nga këto vepra penale, ashtu që:
1.Për veprën penale: Grabitje nga neni 329 par. 3 lidhur me par.1 të KPRK-së i cakton dënimin me gjobë në lartësi prej gjashtëqind euro ( 600,00 €) si dhe dënimin me burg në kohëzgjatje prej shtatë (7) vjet,
Dhe,
3.Për veprën penale të Mbajtjes në pronësi,kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së i cakton dënimin me burg në kohëzgjatje prej një (1) vjet.
Në bazë të nenit 41, 73, 74 par.1 dhe par.2 nën par.2.1,2.2, 2.13,nenit 80 par.1 ,nenit 83 par.1 si, nenit 329 par.3 , nenit 374 par.1 të KPRK-së, nenit 365 dhe nenit 450 dhe 463 të KPP-së, dhe nenit 39 par 3.nën par.3.2 të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, të akuzuarit Shenoll Tahiri i , shqipton:
DËNIMIN UNIK
DËNIM ME BURG DHE DËNIM ME GJOBË
Ashtu që të akuzuarit Shenoll Tahiri i cakton dënimin me burg në kohëzgjatje prej shtatë (7) vjet e gjashtë (6) muaj si të cilin do ta mbaj pas plotëfuqishmëris së aktgjykimit,si dhe dënimin me gjobë në lartësi prej gjashtëqind euro (600,00 ) të cilin do ta paguaj brenda afatit prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Në dënimin me burg i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 11.09.2018 e deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.
Nëse i akuzuari nuk e paguan dënimit me gjobë-atëhere ky dënim do të zëvëndësohet në dënim me burg ashtu që për çdo 20,00 € të pjesës së mbetur të dënimit me gjobë do ti caktohet një (1) dit burg.
OBLIGOHET i akuzauri Shenoll Tahiri që të dëmtuarit Besim Salihu ti kompensoi dëmin material në lartësi prej katërqind euro (400,00 €)brenda afatir prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
I dëmtuari Besim Saliuhu për pjesën tjetër të kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt jurdiko-civil.
E dëmtuara Lavdije Salihu dhe i dëmtuari Donart Salihu për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt jurdiko-civil.
Obligohet i akuzuari Shenoll Tahiri që të kompensoi shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare ndërsa në emër të paushallit gjyqësor të paguaj njëqind euro (100,00 €),ndërsa në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit të paguaj pesëdhjetë euro (50,00 €) të gjitha këto brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e plotëfuqishmërisë së aktgjykimit.
Arsyetim
Prokuroria Themelore në Prishtinë në datën 01.10.2018 ka ngrit aktakuzën PP.I.nr.230/2018 kundër tani të akuzuarit Shenoll Tahiri për shkak të veprave penale : 1.Grabitje nga neni 329 par. 1 të KPRK-së,ndërsa gjatë shqyrtimit fillestar ka bërë rikualifikimin juridik të veprës penale duke e akuzuar tani të akuzuarin për shkak të veprës penale:Grabitije nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së, dhe 2.Mbajtje në pronësi,kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.
I akuzuari Shenoll Tahiri gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk e ka pranaur fajësinë për asnjëren vepër penale për të cilën është akuzuar.
Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur në prani të palëve kjo gjykatë, konform nenit 7 të KPP-së saktësisht dhe tërësisht vërtetoi faktet të cilat janë të rëndësishme për marrjen e vendimit të ligjshëm, me vëmendje dhe përkushtim maksimal profesional dhe me përkujdesje të njëjtë vërtetoi faktet kundër të akuzuarit si dhe ato që shkojnë në favor të mbrojtjes, dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor i mundësoi të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij shfrytëzimin e të gjitha fakteve dhe provave që janë në favor të akuzuarit.
I akuzuari Shenoll Tahirinë kuptim të mbrojtjes,gjatë shqyrtimit gjyqësor veç tjerash ka deklarua se në kohën kur akuzohet se ka kryer veprën penale të grabitjes kishte qenë së bashku me kusheririn e tij te noteri,se nuk kishte të bënte asgjë me këto vepra penale,se në polici i kishin thënë se kishte kryer veprën penale,se në polici nuk kishte pranuar asgjë por një polic e kishte detyruar që të pranonte kryerjen e veprës “duke më goditur me boks në qafë dhe shkelma këmbëve,nga video inçizimi i kamerave nuk përputhet asgjë me mua,as kapela e kuqe ,as jakna nuk përputhen me mua,nuk e kam atë stil të ecjes,sikurse shihej personi i dyshuar kishte mjekërr më të gjatë,…unë nuk e kam atë armë sepse nuk është gjetë as me rastin e bastisjes..nuk kam dijeni për plumba që janë gjetur në shtëpinë time.
Tani i akuzuari, në datën 11.09.2018 me autorizim të prokurorit të shtetit ( Prokurores Javorka Perlinqeviq) ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nga personi zyrtar i policisë në Stacionin Policor Podujevë,me ç’rsat ishte mbajtur procesverbali mbi intervistimin me shenjën 208-AF-0784 dt.11.09.2018.
Sipas procesverbalit mbi intervistimin me shenjën 208-AF-0784 dt.11.09.2018 rezulton se marrja në pyetje-intervistimi i tani të akuzuarit në polici në datën 11.09.2018 ishte bërë konform dispozitave të nenit 57, 73,152 dhe 154 të KPP-së,ashqu që fillimisht i ishte siguruar mbrojtësi sipas detyrës zyrtare, av.Remzi Potoku i cili kishte prezentuar me rastin e marrjes në pyetje,dhe tani i akuzuari ishte njoftuar me të drejtar e tija si person i dyshuar,përfshirë edhe me të drejtën për të heshtur dhe për të mos u përgjigjur në asnjë pyetje,dhe për tu konsultuar me mbrojtësin e tij para dhe gjatë marrjes në pyetje.
Në deklaratën e tij të dhënë në polici në prezencë të mbrojtësit ,tani i akuzuari veç tjerash kishte deklaruar se: “ …Pa kurrfar presioni pranoi se dje me datën 10.09.2018 kam kryer një vepër të keqe.Deklaroi se dje në menxhes kam shkuar në qytet dhe i kam pi disa birra ku pak kam filluar të trullavem…më pas kam shkuar dhe i kam ble disa birra me sa më kujtohet te Pranvera 99 dhe kam shkuar në shtëpi ku i kam pi edhe disa birra tjera ku jam pi,Pasi jam pi e kam marr alltinë që ekam qe rreth 3 vjet në një sanak.Me atë allti kam shkuar në qytet ku kam hy në një bankë afër Embëltores Kimi.Aty në bankë kanë qenë dy persona,pra një burr dhe një grua.Unë jua kam drejtuar alltinë të cilën e kisha pa plumba dhe ju thash me mi dhanë paret ndërsa ata mi kanë dhënë rreth 400-430..euro,e kam ulë kryet dhekam ik duke kaluar kah Embëltorja Kimi e pastaj kah gjykata dhe kam shkuar prapa kafeve të cilat gjenden përball ndërtesës së re të regjistgritcivil…kjo është hera e parë që unë kam kryer ksi vepre të keqe, unë pendohem sinqerisht për këtë vepër që ekam ba..” Ndërsa në pyetjen e policisë së : “ ku e keni lënë kapelen e kuqe dhe xhemperin?”, tani i akuzuari është përgjigjur se : “ I kam kallë në një shporet në oborr ..për mos me u habit dikush me i vesh dhe me u identifikue nga policia”.Në pyetjen se kue kishte lënë armën të cilën e kishte përdor gjatë kryerjes së veprës penale , tani i akuzuari kishte deklaruar se : “Nuk më kujtohet,me siguri më ka ra dikun pasi siq ju thash më herët kam qenë i pitë..”
Tani i akuzuari është intervistaur edhe nga prokurori i shtetit. Në deklaratën e tij të dhënë para prokurorit të shtetit,dhe në prezencë të mbrojtësit të tij av.Remzi Potoku,në Procesverbalin PP.I.nr.230/2018 të dt.12.09.2018,pra vetëm dy ditë pas kryerjes së veprës penale, veç tjerash kishte deklaraur se : “mbetem në tërësi pren deklaratës së dhënë në polici në datën 11.09.2018” dhe kishte shtuar se: “ …në deklaratën të cilën e kam dhënë në polici kam thënë se isha nën ndikimin e alkoholit,afërsisht në gjendje të dehur,dhe pishtolen të cilën e kisha me vete sigurisht se më ka rënë rrugës.Dje kur kam qenë në polici kam deklaruar se arma është në shtëpi edhe pse kam qenë i vetëdijshëm se ajo nuk është te unë në shtëpi dhe këtë e kam bërë nga frika se mos policia do të më shkaktoi diqka…më vjen keq për shkak se sipas deklaratës sime policia ka qenë e detyruar që të dal dhe të bëjë bastisjen për çka ju kërkoi falje të gjitha organeve…fishekët i kam gjetur para një kohe në shtëpi dhe i kam fshehur në kofer..”
I dëmtuari Besim Salihu në cilësinë e dëshmitarit gjatë shqyrtimit gjyqësor ,veç tjerash ka deklaruar se ngjarja kishte ndodhur në mes të ditëskur ishte duke punuar në lokalin e tij me djalin e tij dhe në ndërkohë aty kishte shkuar edhe bashkëshortja e tij e cila punon si mësuese dhe në ato momente në lokal kishte hyrë personi i cili e kishe nxjerrë armën në koridorin sikurse shihet edhe në video inçizim (CD) dhe e kishte ngrit armën në drejtim të familjes së tij për të kërkuar para dhe duka pas parasysh se çka mund të ndodhte me familjen e tij i kishte dhënë 400,00 euro këtij personi i cili i kishte marrë paratë me njëren dorë ndërsa me dorën tjetër mbante revolen,pasi që i kishte marrë paratë personi me revolen në dorë,e kishte vendos revolen në brez dhe kishte dal nga lokali,ky person që kishte hyrë në lokal mbante një kapelë të kuqe,një fashë në fytyrë dhe kishte arritur që ti shihte vetëm nofullen e cila me gjasë ishte e ngjyrosur dhe nga pamja e të akuzuarit në bazë të nofulles që e kishte vërejtë te personi që kishte hyrë në lokal me armë,dyshonte se ishe tani i akuzuari ai peroni që me armë kishte hyrë në lokal dhe kishte marr 400,00 euro.
E dëmtuara Lavdije Salihu në cilësinë e dëshmitares në shqyrtimin gjyqësor veç tjerash ka deklaruar se në datën 10.09.2018 para se të shkonte në punë ( punon si mësueses) kishte shkuar në lokalin e bashkëshortit të sajë –tani të dëmtuarit Besim Salihu, dhe pasi që kishte hyrë në lokal,kur ishte duke biseduar me djalin e saj –të dëmtuarin Donart Salihu-kishte vërejtë se dikush ka hyrë në lokal dhe kjo kishte menduar se ai person ishte i lënduar sepse mbante një fashë në fytyrë dhe duke hyrë ky person kishte ngrit “pistolen” dhe kishte thirrë : “ nxjerrni paratë”,ky person për nga pamja në fytyrë ishte “ si zezak” sepse duart i kishte “ pak më të bardha ndërsa fytyrën krejtë të zezë..i kishte thënë djalit të saj ( të dëmtuarit Doart Salihu)jepja (paratë) me qellim të shpetonte jetën e tyre.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor si provë materiale nga prokurori i shtetit është prezentuar edhe video inçizimi cili ishte kryer nga kamerat e sigurisë të vendosura në lokalin ku është kryerja vepra penale e grabitjes.Video inçizimi është prej disa kamerave me pamje krejtësisht të pastërt dhe prej nga shihet kur një person i cili mban kapelë të kuqe në kokë, një fashë në fytyrë dhe jakne,hynë në lokal me revole në dorë,e drejton revolen në drejtim të tani të dëmtuarve,derisa nga të dëmtuarit merr paratë dhe pastaj largohet me revole në dorë të cilën në dalje të lokalit e vendos perseri në brez.
Video inçizimi nga kamerat e sigurisë në loaklin ku është kryerja grabitja nën kërcënimin e armës,.nga i cili vëreh se si një person me kapelë të kuqe dhe me jakne, hynë më armë në dorë,e drejton në drejtim të tëmduarve,merr paratë dhe pastaj largohet nga lokali,korrespondon me deklarimin e të pandehurit në polici kur kishte përshkruar mënyrën se si e kishte kryer këtë vepër deri në momentin kur kapelën e kuqe dhe jaknen i kishte djeg në shporet nga friga se do ti vesh dikush dhe do të identifikohet si kryes i veprës.
Si provë materiale gjatë shqyrtimit gjyqësor është prezentar edhe vërtetimi mbi konfiskimin e sendeve i datës 11.09.2018 nga i cili vërtetohet se me rastin e bastisjes së shtëpisë së tani të akuzuarit –ishin gjetur dhe konfiskuar nga i akuzuari tre fishek të pistoletës.
Pas prezentimit të provave nga prokurori i shtetit dhe pas administrimit-vlerësimit të tyre një nga një dhe të ndërlidhur në mes vete kjo gjykatë konsideron se është arritur që saktësisht dhe plotësisht të vërtetoi se tani i akuzuari Shenoll Tahiri në kohën dhe vendin e theksuar në aktakuzë ka kryer veprën penale të grabitjes nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Gjykata,me vëmendje vlerësoi deklaratën e të akuzuarit të dhënë gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Sipas bindjes së gjykatës, deklarata e të akuzuarit Shenoll Tahiri e dhënë gjatë shqyrtimit gjyqësor në kuptim të mbrojtjes është tërësisht e orientuar në drejtim të ikjes nga përgjegjësia dhe tezën e mbrojtjes tani i akuzuari në shqyrtimin gjyqësor e ka bazuar në pretendimin se krejtë çka kishte deklaruar në fazat e mëhershme e kishte dhënë duke qenë në gjendjet të pavetëdijshme,ose se kishte deklaraur nën presioni e policisë.
Kjo gjykatë konsideron se sipas shkresave të lëndës rezulton se si policia ashtu edhe prokurori i shtetit me rastin e intervistimit të tani të akuzaurit ka vepruar konform dispozitave të KPP-së dhe nuk ka asnjë provë me të cilën do të vihej në dyshim respektimi i të drejtave të tani të akuzuarit me rastin e marrjes në pyetje nga policia apo prokurori i shtetit.
Me rastin e vendosjes lidhur me llojin dhe lartësinë e dënimit për të akuzaurin,kjo gjykatë kishte parasysh dhe mori në konsideratë të gjitha rrethanat e mundshme lehtësuese.Lidhur me konsiderimin e rrethanave lehtësuese gjykata konstaton se pavarësisht udhëzimeve të gjykatës që deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor të akuzuarit ti bëhet me dije se pranimi i fajësisë në çdo fazë të procedurës penale konsiderohet si rrethanë lehtësuese dhe kështu gjykatës i krijohej mundësia e shqiptimit të dënimit edhe nën minimumin e dënimit të paraparë për veprën penale të grabitjes nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 KPRK-së, përkundër faktit se të gjitha provat e administruara qartazi provonin përtej çdo dyshimi të bazuar se tani i akuzuari është kryes i kësaj vepre penale, i njejti deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor nuk e ka pranuar fajësinë për asnjë prej veprave penale për të cilën është akuzuar.
Sipas nenit 329 par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës,dënimi për veprën penale të grabitjes është dënim me gjobë dhe me burgim prej shtatë (7) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.
Sikurse u theksua edhe më lartë,gjykata nuk kishte mundësi të aplikimit të dispozitave ligjore mbi zbutjen e dënimit ashtu që të shqiptohet dënimi për veprën penale edhe nën minimumin e dënimit të paraparë për arsye se tani i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë dhe për më tepër në shqyrtimin gjyqësor ka tentuar që të ik nga përgjegjësia penle me deklarimet se gjithçka kishte thënë më herët ose ishte pasojë e presioneve të organeve të hetuesisë ose nuk ishte i vetëdijshëm se çka kishte deklaruar.
Me rastin e vendosjes lidhur me llojin dhe lartësinë e dënimit kjo gjykatë si rrethanë lehtësuese për të akuzuarin e konsideron moshëm e tij të re-sapo ka mbush 18 vjeç,megjithatë kjo rrethanë lehtësuese mund të jetë me ndikim në lidhje me këtë çështje penale vetëm për sa i përket mundësisë që gjykata të shqiptoi dnimin me burg në kufirin e miminmumit të dënimit të paraparë me ligj,por jo edhe nën minimumin e këtij dënimi.
Sa i përket dënimit në lidhje me veprën penale të mbajtjes në pronësi,kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nganeni 374 par.1 të KPRK-së kjo gjykatë ka vendos që të akuzuarit ti caktoi dënimin me burg në kohëzgjatje prej një(1) vjet për arsye se tani i akuzuari fillimisht ka pranuar se armën-revolën e përdorur me rastin e kryerjes së veprës penale të grabitjes nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së e kishte në shtëpi,pastaj ka deklaruar se i kishte rënë me rastin e ikjes, dhe pastaj se nuk e posedonte fare këtë armë. Nga kjo rezultom se kjo armë akoma mund të jetë në posedim të pa autorizuar të ndonjë personi dhe të përdoret për kryerjen e ndonjë vepre penale,ndërsa i akuzuari nuk tregon se ku gjendet tani kjo armë,e që kjo sjellje e tani të akuzuarit ska se si të konsiderohet ndrysheveçse si pajtim që edhe në të ardhmen me armën e tij të kryhet ndonjë vepër penale.
Për sa i përket dënimit unik të shqiptuar me këtë aktgjykim, kjo gjykatë konsideron se edhe me këtë dënim unik të shqiptuar-e sa i përket veprës penale të grabitjes është në kufi të minimumit të dënimit të shqiptuar,do të arrihet qellimi i përgjithshëm dhe individual dhe se tani i akuzuari më në fund të vetëdijësohet se rruga e zgjedhur është rrugë e gabuar ndërsa personat tjer do të parandalohen nga kryerja e këtyre veprave penale duke qenë në dijeni për dënimet që i presin.
Kjo gjykatë konsideron se procedura penale e zbatuar ndaj tani të akuzuarit Shenoll Tahiri i deri me shpalljen e aktgjykimit nga gjykata e shkallës së parë është plotësisht procedurë e zbatuar në zbatim të Konventës Europiane për të Drejta të Njeriut,nenit 5,6 dhe 7, sepse i akuzuari është ndaluar me vendim të gjykatës,i është dhënë mundësia e kundërshtimit të ndalimit, i është dhënë mundësia e mbrojtjes personalisht dhe me ndihmën e mbrojtësit –avokatit siaps zgjedhjes së tijë ,dhe deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor i është garantuar e drejta e paraqitjes së mbrojtjes dhe kundërshtimit të çdo prove.Po ashtu gjatë kohës së mbajtjes në paraburgim gjykata është kujdesur që i akuzauri të ketë mundësinë e shfrytëzimit të drejave të tija.
Me rastin e vendosjes së çështjes penale gjykata aprovoi kërkesën pasurore-juridike të dëmtuarit Besim Salihu dhe obligoi të akuzuarin Shenolll Tahiri që të dpmtuarit ti kompensoi dëmin material të shkaktuar me veprën penale të grabitjes ashtu që duhet ti paguaj 400,00 € brenda afatit prej 15 ditëve-shumë kjo e parave të grabitura nga i akuzuari te i dëmtuari,dhe që është vërtetuar nga dëshmia e të dëmtuarit Besim Salihu dhe nga video inçizimi i kamerave të sigurisë në lokalin ku është kryer grabitja. Për kërkesën pasurore-juridike mbi shumën e kësaj kërkese pasurore-juiridike të aprovuar,gjykata të dëmtuarin e ka udhëzaur në kontest të rregullt juridiko-civil për arsye se lartësia e kërkesës deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor nuk është përcaktuar.
Të dëmtuarit Donart Salihu dhe Lavdije Salihu për realizimin e kërksës pasurore-juridike janë udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil konform nenit 463 par. 2 të KPP-së.
Lidhur me shpenzimet e procedurës penale është vendos në bazë të nentit 450 të KPP-së,ndërsa lidhur me taksën për kompensimin e viktimave të krimit është vendos në bazë të nenit 39 par 3.nën par.3.2 të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Për sa u tha më lartë është vendos si në dispozitiv të këtij aktvendimi.
GJYKATA THEMELORE NË PRISHTINË
Departamenti për Krime të Rënda
PKR.Nr. 247/20-18 dt. 11.12.2018
Procesmbajtësja,
Lirije Berisha Kryetari i trupit gjykues-gjyqtari,
Hamdi Ibrahimi
KËSHILLA JURIDIKE: Kundër këtij aktgjyimi mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës brenda afatit prej pesëmbdhjetë ditëve (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit.Ankesa ushtrohet nëpërmes të kësaj gjykate.












