“Një rrugë e dy punë” – 15 vjet burgim për inspektorët e Mustafës për të marrë vizat

Sot u kumtua lajmi se ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dhe do të vuajnë gjithsej 15 vite burgim, dhe do t’iu konfiskohet një shumë e caktuar e pasurisë së tyre e disa të tjerë do të paguajnë gjobë– raporton Periskopi. Prokuroria Speciale e Republikës gjykon se të […]
Sot u kumtua lajmi se ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dhe do të vuajnë gjithsej 15 vite burgim, dhe do t’iu konfiskohet një shumë e caktuar e pasurisë së tyre e disa të tjerë do të paguajnë gjobë– raporton Periskopi.
Prokuroria Speciale e Republikës gjykon se të pandehurit nuk e kanë përmbushur detyrën zyrtare sipas ligjit, në pozitën e inspektorëve. Për ta thuhet se nuk i kanë parandaluar ndërtimet e kundërligjshme të objekteve të disa investitorëve kosovarë. Për të njëjtit thuhet që nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoriatit për rrënimin e objekteve në fjalë.
Por, shumë dyshime mund të hidhen mbi drejtësinë e këtij rasti.
Në rend të parë, kemi të bëjmë me dënime të vogla, e të cilat nuk përçojnë mesazhe të forta te inspektorët e tjerë në të ardhmen që të mos bëjnë veprime të këtilla. Sepse, duke qenë se ndërtimet janë të gjithandejme, dhe se kompanitë ndërtimore janë bërë shumë të fuqishme, inspektorët mund të përfitojnë aq shumë sa kjo masë dënimi të mos i frikësojë.
E dyta, ka të bëj me kohën në të cilën shtrihet ky vendim. Kjo kohë, ka të bëj me procesin e liberalizimit të vizave dhe kriterit të fundit të mbetur: luftimit dhe krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në maj, do të dihet përfundimisht nëse Kosova e ka plotësuar këtë kriter, dhe nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE-së.
Dënimi i ish-inspektorëve, parë nga ky këndvështrim, megjithatë është fund e krye politik dhe pak ka të bëj me drejtësinë. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka zgjatur shumë, dhe veç kësaj, këta ish-inspektorë e kishin kryer detyrën e tyre në kohën e ish-kryetarit të Prishtinës, Isë Mustafës. Kësisoj, mund të thuhet që dënimi në këtë moment, me këto masa ndëshkimore, përbën një damkë ose njollë ndaj një oponenti politik siç është LDK-ja, njëkohshëm një pretekst për të treguar gatishmërinë [e rreme] të Kosovës për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit./Periskopi












