Zyrtari i inteligjencës amerikane: Ukraina synon të mbajë territorin rus

Zyrtari i inteligjencës amerikane: Ukraina synon të mbajë territorin rus

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të nisë një kundërofensivë me qëllim që të rimarrë territorin në rajonin e Kurskut, që është kapur nga trupat ukrainase. Por, forcat ruse do të përballen me “një luftë të vështirë” tha zëvendësdrejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), David Cohen.

Cohen tha gjatë një konference të industrisë së sigurisë se rëndësia e inkursionit ukrainas, përmes së cilit Ukraina mori nën kontroll rreth 777 kilometra katrorë, në rajonin rus, ende mbetet të shihet.

Forcat ukrainase kaluan kufirin për në Rusi dhe nisën një ofensivë të befasishme në rajonin rus të Kurskut më 6 gusht.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e dëgjon guvernatorin në detyrë të rajonit Kursk, Governor Alexei Smirnov, gjatë një videokonference në rezidencën shtetërore të Putinit pranë Moskës, më 8 gusht, dy ditë pasi forcat ukrainase e nisën inkursionin në Rusi.

Përderisa Kievi ka thënë se nuk synon të aneksojë zonën që ka marrë nën kontroll, forcat ukrainase po krijojë vija mbrojtëse dhe duket se po synojnë të mbajnë “një pjesë të atij territori për një periudhë kohore”, tha Cohen gjatë samitit për inteligjencë dhe siguri kombëtare.

“Ne jemi të sigurt se Putini do të nisë një kundërofensivë me synim që të rimarrë territorin. Mendoj se pritjet tona janë që do të jetë një luftë e vështirë për rusët”, tha Cohen.

Ukraina ka pretenduar se ka marrë 100 vendbanime gjatë ofensivës në rajonin e Kurskut, teksa forcat ruse po vazhdojnë të avancojnë në rajonin ukrainas të Donjeckut. /REL/

Shpërndaje në: