Zyrtarët amerikanë “do të vërshojnë” Evropën këtë javë për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë
![Zyrtarët amerikanë “do të vërshojnë” Evropën këtë javë për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/oda-ekonomike-amerikan-600x360-1-500x300.jpg)
Këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, Mike Waltz, ka thënë se anëtarët e lartë të administratës do të takohen me zyrtarë evropianë këtë javë për mënyrën se si t’i japin fund luftës në Ukrainë.
Dhe hapi vjen pothuajse tri vjet pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të fqinjit të saj në vitin 2022.
Më pak se një ditë para këtij njoftimi, mediat amerikane raportuan se Trump kishte pasur një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar hapat drejt një zgjidhjeje të negociuar.
Megjithatë, nuk ka pasur asnjë konfirmim të menjëhershëm të asaj bisede as nga Shtëpia e Bardhë dhe as nga Kremlini.
As këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, nuk pranoi të komentojë atë në një intervistë televizive.
Waltz tha se ekonomia ruse nuk po ecën mirë dhe se Trump “është i përgatitur të taksojë, të tarifojë, të sanksionojë” Moskën për ta çuar Putinin në tryezën e bisedimeve.
Por Waltz nënvizoi gjithashtu se administrata Trump po kërkon të përdorë angazhimet e kësaj jave për të filluar bisedimet për tërheqjen e një pjese të ndihmës së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën.
Ai tha se aleatët evropianë do të duhet gjithashtu të marrin një rol më të madh në mbështetjen e Ukrainës në vazhdim.
“Ato biseda do të ndodhin këtë javë. Dhe unë mendoj se një parim themelor këtu është se evropianët duhet ta zotërojnë këtë konflikt në vijim. Presidenti Trump do t’i japë fund. Dhe pastaj për sa i përket garancive të sigurisë, kjo do të jetë me evropianët”.
Sipas mediave të huaja, zëvendëspresidenti JD Vance do të jetë në Paris më vonë të hënën për një samit të inteligjencës artificiale që do të mbledhë zyrtarë qeveritarë dhe më vonë këtë javë do të shkojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku presidenti Volodymyr Zelensky do të drejtojë delegacionin ukrainas.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe i dërguari special i Trump për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg do të marrin pjesë gjithashtu në konferencën e Mynihut.
Të mërkurën, Hegseth do të bashkohet me forumin kryesor ndërkombëtar për grumbullimin e armëve dhe municioneve për Ukrainën.
Mbretëria e Bashkuar po “mbledh” takimin e 26-të të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, një grup prej rreth 50 vendeve partnere, të mërkurën në selinë e NATO-s në Bruksel. /Telegrafi