Zyrtare: Ramsey largohet nga Juventusi, kaq para ka fituar nga prishja e kontratës
Juventusi dhe Aaron Ramsey edhe zyrtarisht kanë ndërprerë bashkëpunimin.
Lajmi është bërë i ditur nga klubi italian këtë të martë.
Ramsey kishte kontratë të vlefshme edhe për një sezon me Juventusin, por kjo kontratë është shkëputur tashmë me marrëveshje të dyanshme.
Reprezentuesi i Uellsit nuk ishte pjesë e planeve të Massimiliano Allegrit dhe klubi preferoi ta ndërpresë marrëveshjen që tani.
Negociatat u zvarritën për javë të tëra për të arritur një marrëveshje, por më në fund ajo u arrit sot.
Ramsey thuhet se ka përfituar 3 milionë euro si dëmshpërblim nga shkëputja e kontratës para kohe.
31-vjeçari bëri vetëm 69 paraqitje për Juventusin, teksa shënoi gjashtë gola dhe shtoi gjashtë asistime. Ai në “Allianz Stadium” kishte kaluar si futbollist i lirë nga Arsenali në vitin 2019.
Ish-futbollisti i Cardiff Cityt u përball me lëndime të shumta, veçanërisht sezonin e kaluar, ku luajti vetëm pesë ndeshje për “Zonjën e Vjetër”.