Zyrtare: Erald Çinari transferohet në Turqi

Zyrtare: Erald Çinari transferohet në Turqi

Partizani humbet një nga elementët e tij më të rëndësishëm. Erald Çinari është zyrtarisht një futbollist i klubit të ligës së parë turke Samsunspor.

Lajmet që kanë qarkulluar në mediat shqiptare për të ardhmen e sulmuesit 24-vjeçar tashmë kanë marrë formë zyrtare pasi ka qenë vetë klubi nga qyteti i Samsunit që ka bërë me dije transferimin e shkodranit në Turqi.

Çinari të cilit i skadoi kontrata me Partizanin në fund të këtij sezoni dhe u largua si një futbollist i lirë, ka firmosur për 3 vite me Samsunspor me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon.

Detaje të tjera rreth kësaj marrëveshjeje pritet të dalin gjatë orëve në vijim, kjo përsa i përket edhe pagës që do të përfitojë futbollisti te Samsunspor.

Partizani nuk arriti të arkëtonte asgjë nga largimi i 24-vjeçarit i cili spikati në këtë sezon të Kategorisë Superiore me 8 gola ku më të rëndësishëm ishin ata ndaj Tiranës në derbi menjëherë pas rikthimit nga pezullimi 4 mujor dhe ndaj Teutës, 2 javë para fundit, goli që i dha mundësinë të kuqeve të kryesonin të vetëm për disa ditë kampionatin.

Shpërndaje në: