Zyrtare: Bujar Shabani i bashkohet Shkupit

Zyrtare: Bujar Shabani i bashkohet Shkupit

Ish-futbollisti i Dritës, Bujar Shabani do ta vazhdojë karrierën në Maqedoni të Veriut, te klubi FC Shkupi.

Shabani ka nënshkruar kontratë një vjeçare me skuadrën shkupjane dhe do të bashkohet me ta në fazën përgatitore që po e mban FC Shkupi në Ohër.

Në deklaratën e tij për webfaqen e klubit, Shabani u shpreh i kënaqur me transferimin e tij.

“Të them të drejtën kisha biseduar me shumë njohës të futbollit lidhur me angazhimin tim eventual te Shkupi, të gjithë më kanë thënë fjalë shumë të mira, por vendimtar ishte vlerësimi nga ish-futbollisti i Shkupit Arsim Abazi, i cili më tha se Shkupi është klubi me traditë të gjatë dhe ekip që fiton tituj, andaj edhe nuk hezitova që të bëhem pjesë e kësaj skuadre”, tha ai.

“Shumë shpejt jam ambientuar dhe më kanë pritur shumë mirë në klub, si stafi i trajnerëve, bashkëlojtarët dhe kryesia. Padyshim se do të japim maksimumin dhe më të mirën nga vetja në të gjitha ndeshjet, ndërsa më gëzon fakti se kampionati do të kthehet me publik dhe do të luaj para armatës më të fortë të tifozerisë shqiptare ‘Shvercerat’”, tha Shabani.

“Uroj të kemi paraqitje të mirë edhe në ndeshjet e Europa League dhe kampionatin ta fillojmë me garën për titull”, përfundoi Bujar Shabani.

Shpërndaje në: