Zyrtare: Ardian Nuhiu largohet nga Drita
Drita dhe Ardian Nuhiu kanë ndërprerë bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme
Kjo u bë e ditur sot në një konferencë të jashtëzakonshme të mbajtur nga klubi gjilanas.
Eliminimi nga Kupa në 1/16 e finales i ka kushtuar Nuhiut me humbje të vendit të punës.
“Klubi ka vendosur që të shkëpusë kontratën me trajnerin Ardian Nuhiu. Pas humbjes nga Liria në konsultim me presidentët kemi ardhur në përfundim që të ndërprejmë bashkëpunimin me Nuhiun. Arsyeja kryesore që ka ardhur deri te ndërprerja e bashkëpunimit është eliminimi nga Kupa e Kosovës”, ka thënë Murseli në konferencë për shtyp.
Trajneri i njohur shqiptar nga Shkupi ka arritur t’i fitoj Dritës një titull të kampionit dhe një Superkupë të Kosovës.
Nuhiu është pjesë e “Intelektualëve” nga viti 2018.
Ai fillimisht ishte ndihmës-trajner i Shpëtim Duros. Kurse, nga viti 2019 e mori pozitën e trajnerit.
43-vjeçari e udhëhoqi Dritën në 17 ndeshje në Superligë këtë sezon, teksa grumbulloi 35 pikë. Drita është lidere në tabelë.