Zyrapi pohon që nuk ka parë urdhër për arrestimin e Blerim Kuqit të nënshkruar nga Jakup Krasniqi
Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, dëshmitari Bislim Zyrapi pohoi se nuk ka parë urdhër të nënshkruar nga Jakup Krasniqi për arrestimin e Blerim Kuqit.
Këtë deklarim, Zyrapi e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e avokates së Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokatja në temën e fundit gjatë pyetjeve për Zyrapin u fokusua tek arrestimi dhe lirimi i Blerim Kuqit, ku e pyeti dëshmitarin se a e konfirmon që nuk ka parë një urdhër të tillë asnjëherë.
“Ju e konfirmoni e nuk keni parë asnjë urdhër për arrestimin e Blerim Kuqit të nënshkruar nga Jakup Krasniqi”, pyeti avokatja.
Ndërsa, dëshmitari Bislim Zyrapi e pohoi se nuk e ka parë një urdhër të tillë. Seanca do të vazhdojë pas pushimit të drekës.