Zyrapi: Komandantët e zonave kishin më shumë pushtet se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së

Zyrapi: Komandantët e zonave kishin më shumë pushtet se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së

Dëshmitari Bislim Zyrapi tha se Hashim Thaçi deri nënëntor të vitit 1998 mbulonte Drejtorinë e Informimit dhe Marrëdhëniet me Publikun në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

Ai shtoi se më pas lindi nevoja për një pjesë të veçantë të anës politike, kështu që u formua Drejtoria Politike e në krye të saj u vendos Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Rolin e drejtorit të Drejtorisë për Marrëdhënie me Publikun e ka drejtu deri në transformimin e Shtabit të Përgjithshëm në nëntor të ’98-ës. Në nëntor është nxjerrë nevoja se ishin bisedimet me palën ndërkombëtare dhe me Serbinë, atëherë u dashtë nevoja që të jetë një pjesë … e veçantë e pjesës politike dhe është formu Drejtoria Politike, në të cilën fillimi i punës së saj ka fillu nga dhjetori”, tha Zyrapi.

Ai tha se Thaçi ishte vendosur në atë pozitë, për shkak të përvojave të tij që ka pasur për marrëdhënie me publikun dhe mediat.

“Dhe i ka njohur edhe aspektet ndërkombëtare dhe është vendosur në këtë detyrë dhe e ka ushtruar këtë detyrë deri në Rambuje kur është përcaktu edhe si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme nga Rambujeja që ka dalë”, tha dëshmitari.

Në gjyqin ndaj Ramush Haradinajt, sipas Mishetiq, dëshmitari kishte thënë se në verën e ’98-ës ekzistonin vetëm dy zona operative, ajo e Drenicës dhe e Dukagjinit, ndërsa zonat e PashtrikutKaradakut dhe Llapit u formuan më vonë dhe nuk funksiononin si zona të vërteta.

“Shumë mirë, e kjartë. E kam thanë edhe në dëshmi aty që zona e Drenicës dhe Dukagjinit ka qenë aktive në aspektin e luftimeve, kurse këto zona tjera nuk kanë qenë aq të organizuara dhe të unifikuara. Ato kanë ekzistuar aty, kanë qenë komanda e të gjitha, por nuk ka qenë i plotë e as nuk kanë qenë aktive shumë në luftime”, tha dëshmitari.

Më pas, Mishetiq pyeti dëshmitarin se a mund të thuhet se komandantët e zonave në të gjithë UÇK-në merrnin autoritetin e tyre nga njësitë lokale të UÇK-së dhe jo nga Shtabi i Përgjithshëm, gjithmonë duke iu referuar periudhës kohore gjatë verës së vitit 1998.

Komandantët e zonave në atë kohë normalisht që kanë pas prej njësiteve brenda zonave të tyre dhe ato veç nga ana ime kur jam ardhë i kam gjet dhe nuk mund të përcaktoj, por sipas një procesi dhe mënyrës si shihet, po. Po, është dhënë nga njësitë më poshtë dhe është përcaktu nga njësitë më poshtë”, u përgjigj dëshmitari.

Po ashtu, Bislim Zyrapi ka treguar se komandantët e zonave kishin më shumë pushtet se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

“Komandantët e Zonave kanë patur autoritetin e plotë dhe më të fuqishëm se Shtabi i Përgjithshëm. Gjatë vizitave të mia në këto zona dhe gjatë punës time në 1998”, është shprehur Zyrapi.

Shpërndaje në: