Zyra e Vjosa Osmanit hap tender 400,000 euro për bileta fluturimi, pas anulimit të atij me 150,000 euro
Zyra e Presidentes së Kosovës, pas hapjes së një tenderi për 300 bileta fluturimi në tetor me vlerë 150,000 euro, ka marrë një vendim të papritur: të anulojë këtë tender dhe të hap një tjetër, këtë herë me vlerë 400,000 euro për 700 bileta.
Para tre javëve, Zyra e Presidentes e Kosovës ka lidhur një kontratë me negocim me kompaninë “As Travel Club”, për furnizimin me 150 bileta fluturimesh për një periudhë prej 5 muajsh. Ky veprim ka ngritur paksa dyshime, duke pasur parasysh se kontrata u realizua përmes negocimit dhe jo përmes një procedure të hapur dhe të rregullt të tenderit, shkruan Demokracia.
Po ashtu, në tetor të këtij viti, Zyra e Presidentes kishte hapur një tender me vlerë 150,000 euro për 300 bileta fluturimi, por ai u anulua pas një periudhe të shkurtër.
Në vend të tij, të enjtën u hap një tender i ri, këtë herë me vlerë 400,000 euro, për rreth 700 bileta.
Ky veprim ka ngritur më shumë dyshime, pasi nuk është e qartë se çfarë justifikon një rritje të tillë të vlerës së tenderit.
Tenderi për 400,000 euro kërkon shërbime të transportit ajror për Zyrën e Presidentes dhe përveç biletave ekonomike, ka specifika të tjera. Çmimi i biletës është caktuar në 390 euro, një vlerë që sipas tenderit shërben vetëm për kalkulimet dhe nuk reflekton çmimin real të kontratës. Kjo është një praktikë që ka ndodhur edhe në tenderët e mëparshëm.
Një tjetër kërkesë është se për çdo biletë që blihet, operatorët duhet të ofrojnë të paktën tri opsione fluturimi për destinacionin e kërkuar, përfshirë kompani fluturimi me kosto të ulët. Po ashtu, çdo ndryshim në çmimin e biletës ose anulimin e fluturimeve duhet të raportohen në kohë reale, duke sjellë një nivel tjetër të pasigurisë dhe mundësisë për abuzim.