Zv/ministri bullgar: Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e vazhdueshme
Ambasadori i Kosovës në Bullgari, Haxhi Bajraktari, është takuar gjatë ditës së sotme me Zëvendësministrin e Jashtëm të këtij vendi, Ivan Kondov.
Siç njofton MPJ-ja bullgare, të dy palët vlerësuan shumë pozitivisht marrëdhëniet dypalëshe dhe diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Në takim, siç thuhet në komunikatë, u diskutua se liberalizimi i vizave për Kosovën ka sjellë një rritje të konsiderueshme të fluksit të turistëve në resortet dimërore bullgare, ndërsa u tha se ka potencial të ndikojë pozitivisht në bashkëpunimin ekonomik.
Ambasadori Bajraktari shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për shtetndërtimin e Kosovës, e cila është republika më e re në Ballkan, dhe theksoi se Bullgaria është një partner dhe mik i vërtetë i vendit të tij.
Nga ana e tij, Kondov vuri në dukje se “Kosova mund të vazhdojë të mbështetet në mbështetjen bullgare edhe në të ardhmen”.
Ai nënvizoi rëndësinë e komunitetit bullgar në Kosovë si një urë natyrore miqësie dhe përshëndeti përpjekjet e vendit për të ndërtuar një shoqëri multietnike me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
Në këtë kuadër, MPJ-ja bullgare tha se u diskutuan edhe disa nga problemet e komunitetit bullgar në Kosovë dhe mundësitë për zgjidhjen e tyre.
Temë diskutimi ishte edhe stabiliteti i rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku u theksua rëndësia e përpjekjeve për forcimin e stabilitetit dhe paqes në rajon në kuadër të ndikimeve destabilizuese të forcave të jashtme.
“U diskutuan edhe çështjet aktuale të agjendës evropiane, duke përfshirë dialogun Kosovë-Serbi”, njoftoi MPJ-ja bullgare.