ZRRE: Çdo spekulim lidhur me rritjen e tarifave, është i pavërtetë dhe nuk duhet të merret parasysh

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka reaguar edhe njëherë në lidhje me njoftimin për kërkesën e KOSTT-it, KEDS-it dhe KESCO-s për rritje të çmimit të tarifave të rrymës.
ZRRE përmes një komunikate për media ka thënë se aplikimet e tyre janë publikuar në faqen elektronike të ZRRE-së, dhe se përgjigja e tyre ndaj këtyre aplikimeve do të bazohet në një vlerësim të detajuar të dokumenteve të dorëzuara.
“Pas përfundimit të vlerësimit, ZRRE do të hartojë dhe publikojë një raport për konsultim publik, ku do të përfshihen analizat dhe rekomandimet përkatëse. Ky raport do të jetë i disponueshëm për konsultim për një periudhë dy-javore, gjatë së cilës qytetarët dhe palët e interesuara mund të shprehin komentet dhe sugjerimet e tyre. Pas shqyrtimit të komenteve dhe sugjerimeve të marra gjatë periudhës së konsultimit, ZRRE do të propozojë një vlerësim përfundimtar, i cili do të dorëzohet për miratim në Bordin e ZRRE-së. Ky proces është projektuar për të siguruar transparencë të plotë dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e publikut dhe akterëve të tjerë të interesuar në këtë proces të rëndësishëm”, ka thënë ZRRE.
ZRRE ka njoftuar se deri në publikimin e raportit për konsultim publik, ata nuk mund të japin asnjë qëndrim për mundësinë e ndryshimeve të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025.
“Çdo spekulim lidhur me rritjen e tarifave, para se të publikohet raporti i ZRRE-së për konsultim publik, është i pavërtetë, i paargumentuar dhe nuk duhet të merret parasysh. Ftohen të gjithë qytetarët dhe palët e interesuara që të ndjekin raportet dhe informacionet e publikuara nga ZRRE dhe të kontribuojnë me komentet e tyre gjatë periudhës së konsultimit publik. Kjo është një mundësi për të siguruar që çdo ndryshim në strukturën e tarifave të energjisë të jetë i bazuar në një analizë të thellë dhe të marrë parasysh interesat e të gjithë konsumatorëve”, thuhet në komunikatën e ZRRE-së.