Zotëriu i parë u infektua me Covid, ia kërkoi shtetit 396 euro për shpenzime
Zotëriu i parë i shtetit, Prindon Sadriu, ka kohë që me mision diplomatik është në Ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Nga maji i vitit 2021, ai është edhe në krye të këtij misioni diplomatik. Gjatë kohës sa Sadriu ishte zëvendësshef i misionit në Shkup, por në detyrë edhe si Zotëri i Parë, ai kishte përfituar nga buxheti i shtetit për rimburësimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e virusit COVID-19. Sadriut, ndonëse sipas faturave të dorëzuara shihet se shpenzimet i kishte bërë në Prishtinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kundërligjshëm ia kishte aprovuar edhe kërkesën për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e infektimit me Covid-19.
Në muajin nëntor të vitit 2020, Vjosa Osmani, asokohe Ushtruese e Detyrës së Presidentit, kishte konfirmuar se ishte infektuar me Covid-19, pas kontaktit me disa familjarë të saj. Në mesin e këtyre familjarëve, si duket ishte edhe bashkëshorti i saj Prindon Sadriu. Megjithatë, shpenzimet për trajtimin e virusit Covid-19, ky i fundit kishte kërkuar që pjesërisht t’ia rimburësonte shteti, përkundër që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk i mbulon shpenzimet mjekësore të diplomatëve kur ata trajtohen në Kosovë.
Kërkesën për rimburësim të shpenzimeve në vlerë prej 396 euro e 80 cent, Prindon Sadriu e kishte bërë më 22 dhjetor 2020. Zotëriu i Parë në këtë kërkesë e kishte njoftuar asokohe Sekretarin e Përgjithshëm edhe për mungesën e një fature në vlerë prej 40 eurosh, të cilën i thoshte se nuk po mund ta gjente, porse ia kishte bashkuar kuponin fiskal.
Demokracia.com ka siguruar kërkesën e Prindon Sadriut drejtuar ish-sekretarit të MPJD-së dhe faturat e grumbulluara për të cilat kërkonte rimburësim. Por, nëse i shikojmë me vëmendje ato, vërehet qartë se shpenzimet për të cilat Sadriu kërkonte rimburësim ishin bërë në Prishtinë dhe diplomatëve të Kosovës nuk u rimburësohen shpenzimet kur trajtohen brenda vendit.
“Me shpresën të jeni mirë, ju kërkoj me konsideratë aprovimin e rimbursimit të shpenzimeve të pjesshme shëndetësore të cilat ndërlidhen me trajtimin tim nga infeksioni Covid-19, në shumën totale prej 396.80 Euro. Bashkangjitur gjeni faturat origjinale, ndërsa nëse ju duhet, ju dërgoj edhe raportet e specializuara mjekësore dhe përmbledhjen e të gjitha analizave të bëra. Ju njoftoj gjithashtu se nuk kam mundur të gjej faturën në shumën Euro 40.00, por kam bashkangjitur vetëm kuponin fiskal të cilin si duket e kam ruajtur gabimisht në vend të faturës. Nëse kuponi fiskal nuk mjafton, atëherë me konsideratë kërkoj që ajo faturë të zbritet nga totali”, thuhet në kërkesën e Sadriut, raporton Demokracia.com.
Megjithatë, tek në fund të kërkesës së tij, Sadriu ia nisë të tregohet paksa si zotëri i vërtetë, duke thënë se nuk ka kërkuar rimburësim të mjeteve edhe për rreth 4 palë analiza të përgjithshme laboratorike, raporton Demokracia.com.
“Gjithashtu, vetëm sa për informim ju njoftoj se në këtë kërkesë nuk kam kërkuar rimbursim të mjeteve për rreth katër palë analiza të përgjithshme laboratorike të bëra në laboratore privat në koston e përafërt rreth Euro 350.00 dhe dy incizime të mushkreive në CT gjithashtu në laboratore privat me kosto të përafërt rreth Euro 450.00”, thotë në fund të kërkesës së tij, Prindon Sadriu.
Këto janë faturat e Sadriut si shpenzime të pjesshme të trajtimit të Covid-19 për të cilat ka kërkuar rimburësim dhe pjesë e tyre është edhe një shpenzim për “Algofren Cream”.
Lidhur me kërkesën e Prindon Sadriut për rimburësim të shpenzimeve të trajtimit të virusit Covid-19, e cila lart e ka “Aprovohet”, Demokracia.com ka nisur pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës , por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Pas infektimit me Covid-19 kanë vdekur gjithsej 2,985 qytetarë në Kosovë. Shteti ynë zyrtarisht ka 161,130 të infektuar, 157,836 prej të cilëve janë shëruar pas trajtimit dhe 322 raste i kemi ende aktive.
Kostoja mesatare e shpenzimeve individuale për trajtimin e infeksionit me Covid-19 sillet në rreth 1 mijë euro dhe qytetarët e Kosovës vazhdimisht janë ankuar për pamundësitë financiare që t’i mbulojnë shpenzimet mjekësore pas infektimit me Covid-19.