Editorial i Periskopi’t: Zot, bëje llugë.

Editorial i Periskopi’t: Zot, bëje llugë.

Pushteti nuk e do ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit. Tjerat janë përralla. Ai do zgjedhje të jashtëzakonshme. Sidomos, partia më e madhe – PDK. Por, këto nuk i thotë hapur: në politikën e katundeve të Ballkanit gjëja kryesore nuk thuhet kurrë.

Për pushtetin, mosratifikimi i marrëveshjes në Kuvend është mjet. Zgjedhjet janë pasoja, kurse qëllimi është shkaktimi i krizës para fillimit të punës së Gjykatës Speciale. Arsyetimi formal? Lotsjellësi dhe sabotimet e Opozitës.

As opozita nuk e do Marrëveshjen e Demarkacionit. Sidomos, subjekti më i madh – Vetëvendosja. Por, nuk do as zgjedhje të parakohshme: sondazhet ia bënë me dije se mënyra më e mirë për ta dëmtuar koalicionin qeveritar është që t’ia vazhdosh pushtetin. Për çdo muaj raportohet për rënie progresive të besueshmërisë në partitë e pushtetit – sidomos në PDK. Për Opozitën ky është lajm i mirë. Arsyetimi formal? Korrupsioni është kusht për liberalizim, jo Demarkacioni.

Pra, kush e do Marrëveshjen për Demarkacionin?

Thonë që këtë e do bashkësia ndërkombëtare. E, në Kosovë kjo e nënkupton Zyrën e BE-së dhe Ambasadën e SHBA. Mirëpo, a është kjo tërësisht e vërtetë? Jo. Ndërkombëtarët duan Demarkacion, por jo domosdoshmërisht këtë Marrëveshje. Ata s’e kanë nënshkruar atë. Për ta, kjo është çështje mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ata nuk duan zgjedhje. Sidomos, jo para se ta fillojë punën Gjykata Speciale. Edhe ashtu, ajo po vonohet tash e dy vjet. Zgjedhjet do ta vononin edhe më shumë, e këtë s’mund ta lejojnë.

Ndërkohë, po afrohet dita e mejdanit në Kuvend. Orët po ecin. Çfarë do të ndodhë? Pushteti lutet për ratifikim që s’e do. Opozita kërkon zgjedhje që nuk i do. Ndërkombëtarët duan Demarkacion, por jo zgjedhje, vonesa e krizë.

Me sa po shihet, ratifikim nuk do të ketë. Deputetët e pushtetit do të refuzojnë të futen në histori si tradhëtarë që falën troje të kombit. Kësisoj, PDK dhe LDK do të shkojnë në votim, do ta pranojnë disfatën – dhe do ta fajësojnë lotsjellësin e Opozitës. Publikisht, ndërkombëtarët do ta qortojnë opozitën, porse në zyrat e mbyllura do ta ndëshkojnë pushtetin. Për ta, dështimi në Kuvend është përgjegjësi totale e qeverisë dhe pushtetit. Demarkacioni dhe Zajednica ishin arsyeja e vetme pse e formuan këtë koalicion përmes shkeljeve kushtetuese. Për ta, dështimi në Kuvend do të jetë thikë në shpinë nga Presidenti dhe Kryeministri.

Me sa po shihet, pas dështimit të ratifikimit Qeveria do ta shpërndajë veten dhe Kuvendin. Me padurim, Presidenti do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme. Si edhe më herët, ndërkombëtarët do të gdhijnë të lagur, pas një gjumi trevjeçar me delikuentë të Ballkanit. Ditë më herët, kjo u ndodhi edhe në Serbi, kur i përkëdheluri i tyre, Vuçiq, kandidoi për president të vendit duke braktisur fushëbetejën e dialogut me Kosovë. Të mos flasim për dredhitë që kjo bashkësi po i përbinë nëpër Bosnjë, Maqedoni e Shqipëri.

Shkurt, bashkësia ndërkombëtare në Ballkan është sikur një gjysh. Ka autoritet, por jo pushtet. Ka urtësi, por jo fuqi. Kur flet, nuk e ndërprejnë – por as nuk ia varin.

Si edhe rëndom, gjithçka që mund të ngatërrohet – do të ngatërrohet. Sivjet, Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale. Për ta thelluar ngatërrimin, do të synohet që, mundësisht, të dy zgjedhjet të mbahen në të njëjtën ditë. Le të bëhet llugë deri në fund.

Tek e fundit, s’është me rëndësi kur do të mbahen zgjedhjet. Me rëndësi është të mos ketë pushtet funksional prej muajit mars – dhe që kjo gjendje të zgjasë sa më shumë. Kësisoj, shpresohet, Gjykata Speciale s’do të jetë në gjendje ta lidhë askënd. Prokuroritë dhe policia do të vazhdojnë të shkojnë në punë, por s’do të lëvizin me gisht pa urdhër ‘nga ekzekutivi’. Ekzekutivi i vetëm do të përpiqet të jetë bashkësia ndërkombëtare, por asaj s’do t’ia varë kush. Luaje macë kryet e buallit.

Në fund, si edhe rëndom, shkaktari i krizës do të jetë ai që ofron dalje nga ajo. Tingëllon e njohur kjo? Pazari për shtegdalje patjetër do të përmbajë koncesione nga Gjykata Speciale. Ta shohim nëse gjyshi ndërkombëtar do ta gëlltisë sërish karremin.

S’do të ishte hera e parë.

 

Shpërndaje në: