Zombi me diplomë
Sot u diplomova për filozofi në UP. Nuk jam krenar sepse kjo diplomë asht marrë edhe prej shumë e shumë studentëve që nuk e kanë lexu asnji libër të vetëm dhe nuk dinë me shkruejt asnji fjali pa gabime. UP-ja asht e hapun për fukarallëkun dhe për idiotsinë tonë, fatkeqësisht. E nji universitet serioz nuk i toleron hapjet e tilla. Çka ka faj “Universiteti” për skamjen dhe për idiotsinë në Kosovë? Dhe në nji sistem kapitalist, nuk të merr askush parasysh nëse i paguen veç 25 euro për semestër. As profesori, as zyrtari i IT-ve e as rojtari. I kam pasë dhjetra probleme administrative gjatë kohës së studimeve. Nuk paraqitej provimi, duhej me vrapu prej nji zyre në tjetrën. Pastaj, edhe kur paraqitej nuk i dilte profesorit në fletparaqitjen e tij. E humbja të drejtën e provimit. Dhe shumë e shumë probleme tjera. Kjo situatë ishte mjaft stresuese. Ndihesha i humbun, si në qorrsokak.
Studenti i UP-së asht i shpërfillun si nji gjynahqar. Ai nuk shihet me respekt nga askush në fakultet. Profesorët, meqë nuk paguhen direkt nga ata, guxojnë me u vonu e mos me ardhë hiç. Zyrtarët e referentët guxojnë mos me qenë në zyrë në orar pune. Askush nuk i jep përgjegjësi studentit. Dhe studenti, zor se merr mundin me u revoltu. Kam qenë pjesë e protestave kundër rektorit Gashi, por jam pendu. Nuk ka ndryshu asnji send.
Megjithatë, nuk më vjen aspak marre për diplomën. Kjo se, studimi në vetvete asht arritje individuale. Nuk lexon e as nuk mendon fakulteti për ty. Studentë të dobët ka edhe në Harvard e Oxford. Studentë të dobët ka me shumicë, kudo. Fundja, diploma nuk asht tjetër veç nji dëshmi se i posedon disa dijeni bazike në lidhje me fushën e caktueme. Dhe meqë jemi në vaktin e dinamizimit të skajshëm të jetës, në vaktin e imazhit, dukjes, sipërfaqësores – diploma ka vleftë të madhe.
Jam i vetdijshëm se pundhanësi jem, qoftë publik a privat, nuk ka me m’vetë nëse e kam lexu Platonin, Niçen, Spinozën a Fukonë, por se a kam diplomë. Njerëzit nuk shkojnë në fakultet për me marrë dije, por me marrë dukjen e dijes.
Përgjatë gjithë kësaj periudhe e kam lexu nji duzinë librash të autorëve që e kanë ndryshu rrajësisht mënyrën qysh unë mendoj. Asht e pamundun me e lexu Platonin dhe mos me qenë kurreshtar për rrjedhën e mandejme të debatit që e shtron filozofia e tij. Kjo çelë horizonte t’reja botkuptimesh. E stimulon aftësinë krijuese të secilit. Por dorën n’zemër, unë aty nuk kam qenë për Platonin, për ligjëratat e Hasnijes a Astritit, por për diplomën. Ai që don me kry filozofinë, i rreket nji rruge tjetër: internetit dhe librave.
Por, ne e kemi nevojë diplomën. Dukjen e studimit dhe jo vetë studimin. E gjithë UP-ja asht fasadë, kore, lëvore, kopërtinë, që në brendi ka veç boshllëk. Unë sot diplomova, por kjo nuk ka asnji randësi për mu. Vazhdova me punu, si çdo ditë tjetër. Iu tregova veç dy-tre shokëve që e dinin se sot e kam “mbrojtjen e temës”.
Unë e di shumë mirë se në cilin vend po frymoj. Ja cila asht biseda e Grabovcit me nji dost të vetin, dhe që e zbardhë perspektivën tem:
“Mataj: Ani, po ky Fehmia nuk besoj që i plotëson kushtet, se aty duhet me pas nifarë diplome, Fehmia nuk osht i diplomum.
Grabovci: Ajo, hiç hiç, s’osht me rëndësi.”
Pra, unë e di që diploma në shumë raste nuk asht hiç, hiç, hiç me randësi në këtë vend. Kush e merr parasysh pastaj notën mesatare, përgatitjen, zotsitë tjera. Këto diploma vetëm i mbulon. Kur unë them “Unë jam i diplomuem në UP” kjo i bjen “unë jam zombi”.
Për prishjen dhe tkeqjen e tmerrshme të imazhit të UP-së ka faj vet UP-ja. Te secili i sapodiplomuem i këtij Universiteti, ndryhen ndjenja të tmerrshme. Unë për vete, jam i trishtuem për entuziazmin e fillimit, për tanë ato dëshpërime me shumçka aty, dhe për kapërcimin iluzor të nji niveli: nga i padiplomuem në të diplomuem. Nga zombi me diplomë në zombi pa diplomë.
Secili student serioz i UP-së në ditën e tij të diplomimit ish dashtë me u ndi i trishtuem dhe jo i lumtun.