Zogaj në takimet në Ambasadën austriake në Bruksel, diskuton për thellimin e lidhjeve mes Kosovës dhe Austrisë
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës Alban Zogaj ka vizituar Ambasaden Austriake në Bruksel, me ç’rast është takuar me Claus Binder dhe me Dr. Franz Schausberger, i cili është një politikan dhe historian austriak i shquar, ish-guvernator i Salzburgut (1996-2004) dhe aktualisht kryetar i Institutit të Rajoneve të Evropës.
Ai po ashtu është ekspert me përvojë të thellë në çështjet e zgjerimit të BE-së dhe forcimin e rajoneve evropiane, duke shërbyer edhe si këshilltar special për Ballkanin dhe Ukrainën pranë Komisionit Evropian.
“Diskutuam mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe mundësitë për të thelluar lidhjet mes Kosovës dhe Austrisë në kontekstin e zhvillimeve evropiane. Një falënderim i veçantë shkon për Ambasadën Austriake për mikpritjen dhe përkrahjen në ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona”, ka shkruar Zogaj në Facebook.