“Zinxhiri komandues në UÇK”: Gjykata Speciale pranon disa dokumente për zonën e Llapit

“Zinxhiri komandues në UÇK”: Gjykata Speciale pranon disa dokumente për zonën e Llapit

Gjykata Speciale e Hagës ka pranuar një sasi të provave ndërlidhur me zonën komanduese të Llapit, nëpërmjet të cilave synon të dëshmojë zinxhirin komandues në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në vendimin e publikuar në faqen zyrtare, mocioni i prokurorisë është miratuar pjesërisht ku si rezultat janë pranuar disa prova.

“Në lidhje me rëndësinë e Dëshmive të propozuara 1-77, paneli vëren se ato lidhen me organizatën e UÇK-së në vitin 1998 dhe fillim të vitit 1999. Paneli vëren gjithashtu se: (i) Dëshmitë e propozuara 1-13 përbëhen nga vendime që lidhen me emërimin e funksionarëve të rangut të lartë në zonën e Llapit si dhe brigadat 151 dhe 152 (“Vendime të emërimit”); (ii) Dëshmitë e propozuara 14-20 përbëhen nga lista individësh të regjistruara nga UÇK-ja në Llap në vitin 1998 (“Dokumente të regjistrimit”)”, thuhet në fillim të vendimit, raporton Nacionale.

“Dëshmitë e propozuara 30-36 përbëhen nga shënime, raporte dhe memorandume të UÇK-së që mbulojnë periudhën midis qershorit 1998 dhe prillit 1999 (“Memorandume”); (v) Dëshmitë e propozuara 37-41 përbëhen nga dokumente dhe shabllone të standardizuara që përdor UÇK-ja (“Shabllone”); (vi) Dëshmitë e propozuara 42-54 përbëhen nga dokumente, plane dhe programe që lidhen me aktivitetet e trajnimeve të UÇK-së (“Dokumente trajnimi”); (vii) Dëshmitë e propozuara 55-61 përbëhen nga dokumente që lidhen me financat e zonës së Llapit, pronësinë e armëve dhe furnizimet, si dhe kodet e komunikimit (“Dokumente logjistike”); dhe (viii) Dëshmitë e propozuara 62-77 përbëhen nga urdhra të UÇK-së që lidhen kryesisht me çështje civile (“Urdhërat për çështje civile”)”, thuhet më tutje.

Një tjetër sasi e dokumenteve të pranuara, flet për një vizitë që e kishte bërë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi në zonën e Llapit.

“Paneli gjithashtu vëren se prokuroria mbështetet në Dëshmitë e propozuara që lidhen me organizatën e UÇK-së në vitin 1998 dhe fillim të vitit 1999 për të dëshmuar, ndër të tjera, se: (i) në gusht 1998, një delegacion i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së (“Shtabi i Përgjithshëm…”), përfshirë Hashim Thaçin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, vizituan zonën e Llapit dhe dhanë emërime formale me shkrim për anëtarët e komandës së Llapit, përfshirë kryetarin e Inteligjencës, Latif Gashin; (ii) Komanda e zonës së Llapit mbante takime, ishte përgjegjëse për të gjitha njësitë e UÇK-së në Llap, ishte shpesh në kontakt me komandantët në zona të tjera dhe ishte në kontakt me Shtabin e Përgjithshëm… (përfshirë të akuzuarit), duke bërë raporte dhe duke marrë urdhra, udhëzime dhe rregullore”, thuhet më tutje në vendim.

Pavarësisht se jo të gjitha vendimet janë të nënshkruara, gjyqtarët kanë konstatuar se ato kanë simbolin e UÇK-së.

“Në lidhje me autenticitetin, paneli vëren se, edhe pse jo të gjitha vendimet e emërimit janë të nënshkruara, ato kanë një simbol të UÇK-së dhe përmend një datë të caktuar dhe zonën e Llapit si autoritetin që lëshon. Përmbajtja dhe substanca e tyre gjithashtu tregon origjinën e tyre. Për më tepër, një nga vendimet e emërimit ka vulën e UÇK-së dhe është e nënshkruar, ndërsa nëntë prej tyre duket se janë të nënshkruara nga zëvendëskomandanti i Llapit, Kadri Kastrati”, thuhet në vendim.

Nëpërmjet këtyre dokumenteve, prokuroria synon të dëshmojë se UÇK-ja ka qenë një ushtri e rregullt e me zinxhir komandues të mirëfilltë.

Shpërndaje në: