“ZIF”: Zgjedhjet në BE dhe SHBA rrisin potencialin për konflikt mes Kosovës dhe Serbisë

“ZIF”: Zgjedhjet në BE dhe SHBA rrisin potencialin për konflikt mes Kosovës dhe Serbisë

Në një analizë të Qendrës për Operacione Ndërkombëtare të Paqes (ZIF) në Berlin të Gjermanisë, që fokusohet zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes, thuhet se zgjedhjet evropiane dhe amerikane mund të rrisin potencialin për konflikt, veçanërisht për shkak se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) midis Kosovës dhe Serbisë ndodhet në ngërç.

Gjithashtu, rikthimi i Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara (SHBA), gjithmonë nëse fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor të vitit 2024, kombinuar nga një fitore paraprake e së djathtës ekstreme evropiane në zgjedhjet për Parlamentin Evropian (PE) këtë javë, mund të ndryshojnë për të keq rrjedhën e zhvillimeve në kontekstin Kosovë-Serbi.

“Zgjedhjet në BE dhe SHBA po hedhin hijen e tyre gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor. Kjo rrit potencialin për konflikt, veçanërisht për shkak se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ka hyrë në një ngërç”, paralajmëron qendra e themeluar nga Qeveria e Gjermanisë për të forcuar kapacitetet ndërkombëtare për parandalimin e krizave.

“Serbia – e mbështetur nga operacionet e ndikimit rus – po bëhet gjithnjë e më revanshiste, duke krijuar një ‘botë serbe’ dhe padyshim, duke llogaritur në fitoren e Trumpit. Kosova po përpiqet të forcojë shtetësinë e saj sa më shumë që të jetë e mundur para zgjedhjeve amerikane, por duke e bërë këtë po e tjetërson pakicën serbe dhe komunitetin ndërkombëtar”.

Aty përmendet fakti se qeveria gjermane javën e kaluar mori vendim për zgjatjen edhe për një vit të mandatit të forcave të armatosura në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR), në sfondin e tensioneve të fundit. Prandaj, duke marrë parasysh mjedisin e rëndë të sigurisë, sugjerohet që KFOR-i t’i marrë të gjitha masat për të penguar përshkallëzimin./AP

Shpërndaje në: