Zhegrova për portalin francez: Kosova është gjithmonë në zemrën time, jam krenar që luaj për të
Edon Zhegrova është në qiellin e shtatë pas paraqitjes fenomenale me Lillen ndaj Lorientin.
Ylli kosovar i shënoi dy gola në minutat e fundit të lojës për t’ia siguruar fitoren ekipit të tij.
Por, futbollisti ofanziv nuk e harron asnjëherë Kombëtaren e Kosovës, me të cilën e shënoi një gol disa ditë më parë, i cili fatkeqësisht nuk ishte i mjaftueshëm për “Dardanët”.
“Ekipi kombëtar është gjithmonë në zemrën time. Jam mjaft krenar që luaj për Kombëtaren, e shënova një gol gjatë angazhimit të fundit. Për mua, është e rëndësishme që një lojtar ta ndërroj mjedisin, sepse jemi gjithmonë në Lille. Është gjithmonë ndjenjë e mirë të jesh në gjendje t’i shohësh familjen dhe miqtë përsëri. Kjo më bën të lumtur”, u shpreh Zhegrova në një intervistë me “le11hdf.fr”.
Ai ndihet më së miri kur luan në krahun e djathtë, si në Lille, ashtu edhe tek Kosova, por thotë se, varësisht prej nevojës dhe kërkesës së trajnerit, mund të zhvendoset edhe në të majtë.
Zhegrova thotë se ka besim që mund të shënojë kur futet në zonën e rreptësisë.