Zhegrova flet si futbollist i Lille: Është një ditë e madhe për mua
Tashmë është edhe zyrtare. Edon Zhegrova ka ndryshuar ambient dhe është transferuar në Francë, tek ekipi kampion në fuqi, Lille.
Kjo është bërë zyrtare nga klubi francez përmes një postimi në profilin e tyre zyrtar në Twitter.
Kështu, ylli kosovar lë Baselin për kampionin në fuqi të Francës i cili merr pjesë edhe në Champions League.
Pas këtij transferimi ka ardhur edhe reagimi i parë i Edon Zhegrovës.
“Sot ndihem i lumtur dhe krenar. Është një ditë e madhe për mua, një hap i madh në karrierën time, në një kampionat të madh, në një klub me lojtarë të mëdhenj me të cilët do të mund të përparoj. Doja shumë të vija këtu dhe kjo ndodhi, ndaj jam shumë i lumtur. Tani do të bëj më të mirën për LOSC”, deklaroi Zhegrova për faqen zyrtare të klubit francez.
Ai do të jetë pjesë e Lille për katër vite e gjysmë.
Për transferimin e tij, Lille u desh të paguajë rreth 7 milionë euro, pasi Zhegrova kishte kontratë me Baselin deri në qershor të vitit 2023.
Lyon ishte gjithashtu i interesuar për shërbimet e futbollistit kosovar, i cili gjendet në një formë jetësore momentalisht.
Incoming ???
Welcome to Lille, Edon Zhegrova! ❤️#LOSC | @NBFootball pic.twitter.com/lusszimGZO
— LOSC (@LOSC_EN) January 14, 2022