Zhduket 15-vjeçari në Shkodër, i ati i bën thirrje të kthehet: I bërtita sepse kishte bërë sherre
Pas sherrit me babanë, një 15-vjeçar nga Postriba në Shkodër, prej 48 oresh ka humbur kontaktet me familjen.
Babai i tij, Agim Bibaj tregon se i biri 15-vjeçar është nisur në mëngjes për në shkollë por nuk është futur në mësim duke u larguar në drejtim të paditur.
Teksa bën apel që ta ndihmojnë në gjetjen e djalit Bibaj po ashtu ka një thirrje edhe për të birin.
“Djali më ka humbur dje. Është nisur për në shkollë por nuk ka hyrë në godinë. Kur jam kthyer nga puna më tha nusja që është larguar, denoncova në polici por ende nuk kemi gjetur asgjë. I ka thënë shokëve të tij se kam frikë nga babai se ka bërë disa sherre dhe unë i kam bërtitur. I ka thënë shokëve që dua të iki në Tiranë”, tha ai.
“Dua që im bir të më kthehet në shtëpi. Dua që im bir të më kthehet në shtëpi kushdo që ta shohë të na njoftojë. I bëj thirrje edhe djalit të kthehet tek ne prindërit, ka dhe dy vëllezër dhe motrën që e kërkojnë dhe qajnë për të”, shtoi Agim Bibaj.