Zgjim Hyseni nga PSD sulmon ashpër SuperLigën Evropiane: Është kartel futbolli

Zgjim Hyseni nga PSD sulmon ashpër SuperLigën Evropiane: Është kartel futbolli

Partia Social-Demokrate i ka dalë kundër krijimit të SuperLigës Evropiane nga klubet më të pasura në botë, e që efektivisht do të margjinalizojë ligat kombëtare dhe ekipet më të varfra të këtyre ligave.

Zgjim Hyseni nga PSD-ja e ka quajtur “kartel futbolli” këtë ligë.

“Paskan vendosur bosët se si do të organizohet e si do të duket sporti më i shikuar e më i dashur në botë.” – nis komentin e tij aktivisti social-demokrat, përcjell Periskopi.

“Kjo nismë shkatërron klube e shterron qytete. S’ka më arsye për investime e kualifikim. Livorno ose Leeds praktikisht s’do të mund të luajnë kurrë me Barcelonen ose Realin.”- vijon më tej ai.

Kujtojmë që Livorno është një klub i futbollit që ka fansë të flaktë anti-fashistë e të majtë.

“Futbolli evropian po mbërrin aty ku është BE si strukturë organizimi: marrëveshje në formë karteli. Përveç kartelit financiar e industrial, tash e kemi edhe kartelin e futbollit.” – përfundon z. Hyseni.

Statusi i plotë:

Super Liga Evropiane është kartel i futbollit

12 ekipet më të pasura në Evropë po e formojnë një ligë të re. Paskan vendosur bosët se si do të organizohet e si do të duket sporti më i shikuar e më i dashur në botë.

Kjo nismë shkatërron klube e shterron qytete. S’ka më arsye për investime e kualifikim. Livorno ose Leeds praktikisht s’do të mund të luajnë kurrë me Barcelonen ose Realin. Pronari i Juventusit, Agnelli, paska deklaruar se këto klube “përfaqësojnë” qindra miliona adhurues në mbarë botën. 12 pronarë po vendosin  për të ardhmen e futbollit. Shpesh ndodh që këta s’janë as ndjekës të futbollit.

Shpirti garues, kënaqësia e lojës, kolektiviteti dhe shokët e skuadrës ka kohë që janë pushtuar e zvenitur nga spektakli i yjeve që konkurron për miliardat e marketingut, reklamës e të drejtave televizive.

Kjo mundet me qenë mundësi për fansat e futbollit. Kritika për neoliberalizmin nuk është diskutim jashtë përditshmërisë. Futbolli evropian po mbërrin aty ku është BE si strukturë organizimi: marrëveshje në formë karteli. Përveç kartelit financiar e industrial, tash e kemi edhe kartelin e futbollit.

Shpërndaje në: