Zgjerimi i fushës së korrupsionit – Ushtria

Zgjerimi i fushës së korrupsionit – Ushtria

Më 14 dhjetor, ditë e xhuma, Kuvendi i Kosovës pritet me votu për formimin e ushtrisë së Kosovës. Ka disa muaj që përpiqem me kuptu arsyen pse i vyen vendit tim një mekanizëm i tillë. Një shoqe imja, së cilës ia vlerësoj shumë mendimin, thoshte thjesht që: “ushtria është ndër elementet kryesore të shtetit.” Po, por Kosova jeton në një vakt të përçudnuar të politikave ndërkombëtare dhe për më tepër në një gadishull të përçudnuar.

Ndërkohë, të ashtuquajturit ekspertë vendorë të fushës së sigurisë, me një fjalor aq të varfër sa mund të quhen lirshëm analfabetë, thanë se Kosova nuk duhej më të ishte veç konsumuese por edhe prodhuese e sigurisë. Allahile? Edhe një idiot e kupton, nëse nuk humbet në fjalë mekanike, që vendi ynë nuk do të arrijë në asnjë rrethanë që të prodhojë siguri për banorët e saj shkaku i konditave politike, biologjike, gjeografike, sociale e kulturore në të cilat ndodhet. Pak banorë. Pak ushtarakë profesionistë. Shtetësia si projekt i internacionalizmit liberal dhe jo si rezultat i shprehjes së forcës së brendshme. Papunësia tmerrësisht e lartë. Tregu i vogël dhe fiksional i punës. Skema e korruptuar e prodhimit. E kështu me radhë.

Kosova s’ka kapacitet financiar për me kriju një tamam ushtri. Po flasim këtu, për një të tillë që do ta faktorizonte vendin politikisht në marrëdhënie me shtetet fqinj, e në veçanti me Serbinë. Kosovës do t’i duheshin të paktën pesëdhjetë mijë trupa aktive dhe pesëdhjetë mijë të tjera rezervë, në mënyrë që të merrej seriozisht në tavolina bisedimesh. Mjafton të marrim shembullin e Koresë së Jugut dhe të Izraelit sa i përket ushtrisë, që kanë fqinj problematikë, për të kuptuar se vendi ynë nuk mbijeton nëse nuk varet te ndërkombëtarët.

Pastaj, shtrohet problemi i të shenjtit korrupsion. E di që është bërë bajat të përmendet. Imagjino, sheh njerëz nga shoqëria civile e superkorruptuar që dalin e flasin kundër këtij fenomeni. Ose, edhe njerëz nga qeveria. Së fundi edhe Thaçi foli për këtë punë, por i mori 3 mijë e 6 qind reagime ‘haha’ në Facebook. Por, ky është problem serioz. Kemi të bëjmë me një kulturë aq plaçkitëse sa as që mund të paramendohet se ushtria do t’i shpëtojë e do të bëhet një farë heterotopie në këtë farë xhungle. Edhe ushtria do të bëhet si shoqëria civile dhe institucionet tjera publike: një gërmadhë muti, mishi e epshi.

Nuk ka asgjë të pazakontë në përpjekjen disavjeçare për të formuar ushtrinë. Dhe kjo s’ka të bëj me dashurinë ndaj shtetit, apo se na dhimbsen ndërkombëtarët që harxhojnë për çdo vit miliona për sigurinë tonë. Dihet se çka ndodhi në këto dhjetë vitet e fundit. Pushtetarët i zgjeruan hapësirat e tyre. Çelën universitete edhe nëpër qyteza të lodhëta si Mitrovica, Prizreni, Gjilani e Peja edhe kur dihej që as Prishtina s’ofronte kurrgjë cilësore. Pastaj, e rritën edhe qeverinë në përmasa të frikshme. I futën suksesshëm duart në shoqërinë civile. Në opozitë. E gjithkund. Nuk po flas këtu për njerëz të përveçëm. Po flas për fenomenin e parazitëve që duan pare, pozitë shoqërore dhe kacavjerrje në degë, pa bërë asgjë përmbajtësore.

Dhe pikërisht, kësaj politike të zgjerimit të fushës së ushtrimit të korrupsionit i përgjigjet ushtria. Ky pushtet e trilloi thuajse gjithë tregun e punës: prodhoi politikanë të rremë, gazetarë të rremë, profesorë të rremë, aktivistë të rremë, veteranë të rremë dhe tash do të prodhojë edhe ushtarë të rremë.

Veç kësaj, këtyre njerëzve iu vyen edhe pak popullaritet në mënyrë që të mbijetojnë në skenën teatrale të ashtuquajtur politikë. Aktorë të dobët!

Përgjatë këtyre viteve u bënë aq të parëndësishëm sa të vjen gjynah. Fjalët e tyre u bënë aq të papeshë sa gjithnjë dështonin të shndërroheshin në evente të kuptimshme politike. Kjo punë shkoi aq larg sa i humbi vlera tashmë edhe shpalljes së pavarësisë së vendit me rinegocimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Thaçi në vitet 2010 e 2011 e 2012 këputej duke thënë se “ky është veç dialog teknik”. Nuk doli ashtu. Kosova është veç një mut i vogël e i parëndësishëm jashtë interesave të vendeve perëndimore. Dhe ushtria, s’do të jetë më shumë se një hajgare tjetër me shtetndërtimin si proces.

Shpërndaje në: