Zgjedhjet në SHBA dhe pasojat për Kosovën, flet për Periskopin ish-ministri i Jashtëm: Marrëdhëniet e kësaj qeverie me SHBA-të shkurt-shqip, katastrofale

Zgjedhjet në SHBA dhe pasojat për Kosovën, flet për Periskopin ish-ministri i Jashtëm: Marrëdhëniet e kësaj qeverie me SHBA-të shkurt-shqip, katastrofale

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Petrit Selimi, në një intervistë dhënë për Periskopin ka folur për situatën politike parazgjedhore në SHBA e ku ndër të tjera ka përmendur edhe qasjen e Qeverisë Kurti karshi politikës amerikane.

Duke përmendur akuzimet e bëra në të kaluarën nga Kryeministri Kurti, drejt ish-presidentit, Donald Trump, Selimi ka thënë se tashmë edhe me demokratët nuk i ka punët mirë, duke i quajtur ato, “katastrofale”.

Krejt në fund, ai ka dhënë një mendim se çka duhet ndryshuar Kosova në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të përmirësohen politikat mes dy vendeve.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë të z. Petrit Selimi dhënë për Periskopin:

Periskopi: Z. Selimi, e përcjellni politikën amerikane dhe keni udhëhequr edhe projektin masiv investues të qeverisë amerikane MCC, edhe në kohen e Presidentit Trump edhe Biden. Si e analizoni situatën politike parazgjedhore në SHBA tani, sidomos pas atentatit ndaj ish-Presidentit Trump?

Petrit Selimi: Fillimisht, më lejoni t’ju them qe Kosova ka qenë e bekuar me përkrahje si të Demokratëve ashtu edhe Republikanëve ndër dekada. Ishte kongresmeni demokrat Lantos por edhe senatori republikan Dole që ishin të zeshëm për Kosovën në fillim të 90’ave. Presidenti i parë Bush ja dha vijën e kuqe Milosevicit, Presidenti Klinton pastaj e bombardoj dhe ndihmoi çlirimin e Kosovës duke adfirmuar UÇK-ne si kryengritje liridashëse, Presidenti Bush i riu na njohu pavarësine. Presidenti Obama ndihmoi në njohjen e Kosovës dhe vendimin e GJND, ndërsa Presidenti Trump e bëri Kosovën palë të barabartë në Shtëpi të Bardhë dhe solli njohjen e Izraelit.

Mendoj se gabimi kardinal i kësaj qeverie është ta ndan Amerikën në “të mirë” e “të këqij”, sepse interesi nacional i Kosovës nuk është të eksporton polarizimin tonë por të kontribuon me urtësi strategjike në unitet veprimi në Uashington. Prandaj, zgjedhjet amerikane i shikoj si një mundësi e vazhdimit të rrugëtimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe kushdo fiton do ta ketë një çasje ndryshe, ndoshta edhe diametralisht të kundërta në mes vehte, por ne duhet punuar që të sigurojmë që kjo përkrahje të jetë e vazhdueshme.

Periskopi: Mendoni se Qeveria Kurti ka qenë e njëanshme në qasjen karshi politikës amerikane?

Petrit Selimi: Nuk mendoj une por faktet flasin. Kurti e ka akuzuar publikisht ish Presidentin Trump për grushtet dhe ka shkaktuar tëhuajësim total prej partisë republikane. Tani arriti t’i shkatërron edhe marrëdhëniet me demokratë, aq shumë sa Senatorë e Ambasadorë demokratë edhe publikisht kanë shprehur dyshime nëse Kurti është partner i SHBA-ve. Marrëdhëniet diplomatike të Qeverisë së Kosovës me SHBA dhe krejt spektrin politik në SHBA janë, shkurt shqip, katastrofale. Nuk ka fjalë tjetër pos katastrofale dhe shumë të shtrenjta për interesin tonë nacional.

Periskopi: Presidentja Osmani shkon shpesh në Uashington, dhe ka takime të nivelit të lartë. A i balancon Presidentja këto sfida që Qeveria ka në komunikim me Amerikanët?

Petrit Selimi: Presidentja mirë bën që shkon në Amerikë, por efekti i saj është I domenit të marrëdhënieve me publik e jo një komunikim strategjik që prodhon rezultate. Ekzekutivi është dega e qeverisjes që është e angazhume në dialog me Serbinë, në diplomaci, në bashkëpunim rajonal. Presidentja ka rol të limituar. U pa edhe tek letra e Ministres Gërvalla në Këshillin e Europës, që Presidentja Osmani as që është e informuar nga ministrja e vet për çështje madhore, e leje më të ketë ndonjë ndikim në politikë-bërjen e Qeverisë kosovare. E Amerika i shikon veprat, jo fjalët.

Nëse vjen deri tek Presidenca e dytë Trump, fokusi sidomos do të jetë në “deliverables” apo çka po bën Kosova, e jo për fjalime florale ku e kemi gojën mbushur Amerikë, por jemi treguar krejtësisht të paaftë të koordinohemi dhe t’I kuptojmë mesazhet urgjente dhe dashamirëse të Amerikës. Mos të flasim për ofendime dhe akuza krejtësisht absurde që regjimi në pushtet dhe fabrika e vet online e komentuesve i bëjnë ndaj Blinken, Grenell, Hill, Escobar, apo kujdo që guxon të shpreh dyshime për kryeministrin tonë.

Periskopi: Pra, paska dallim në Uashington sa i përket Kosovës?

Petrit Selimi: Unë thash qe ne nuk duhet të bëjmë dallime dhe të përzihemi në politikë amerikane, por në Uashington ka dallime fundamentale në politike të jashtme. Këto janë të natyrshme sepse bota po ndryshon rapidisht dhe kemi lëvizje të pllakave tektonike politike që po e ribëjnë pejsazhin botëror.

Kandidati për zëvendës-president JD Vance ndoshta është figura që personifikon në Amerikë ndryshimet ideologjike më së miri nga gjenerata e re e politikanëve. Kam përcjellur tash e disa vite angazhimin e tij politik në kuadër të një të djathte të re amerikane që po e lufton konsensusin e vjetër të establishmentit politik. Kosova është rezultat i këtij konsensusi të vjetër dhe ne kemi qenë fatlum që në kohën kur jemi çliruar dhe pavarësuar, Amerika ka pasur apetit për intervenim në shtet-bërje. Ky konsensus nuk ekziston më apo së paku është duke u rinegociuar, me një pjesë të madhe të elektoratit duke kërkuar “America first”, apo që interesat e Amerikës të definohen jo me altruizëm apo vlera universale, që dikush i quan globaliste, por me mirëqenien e vetë Amerikanëve. Qeveria e Kosovës haber nuk ka me zhvillu dialog me këtë pikënisje. Dikush e quan këtë koncept transaksional, gati si me ofendim, prandaj edhe ka arsye të brengosemi. Qeveria e Kosovës është e izoluar nga Uashingtoni, por edhe nga Parisi, Brukseli e Berlini e bile edhe në Tiranën dy orë largë nuk i kemi punët mirë. Kam frike që lidershipi I Kosovës po i ndan liderët gjithandej dyjasë në bardh e zi, dhe e keqja dhe e mirja definohet sipas kompasit moral të liderit të pakontestueshëm të Vetevendosjes, pa hyre fare në kualitetin e moralit të tij politik. Por bota gjithnjë e më shumë po merr nuanca të ngjyrës hiri. Dhe ketu ndodh kushllusi total ku psh Vetevendosja publikisht e përkrah të majten radikale franceze, edhepse lideri Melanchon i kësaj të majte e quan Kosovën shtet fiktiv.

Amerika po ndryshon, ndoshta edhe rrënjësisht e ndoshta edhe afatgjatë. Duhet t’i kalibrojmë vendimet tona duke e ruajtur aleancën me cilëndo Amerikë që po rikrijohet sepse liria dhe pavarësia e Kosovës nuk ka garant më të madh se Amerika.

Periskopi: Çka duhet të bën Kosova në këtë rast?

Petrit Selimi: Të kundërten e çka ka bërë këto katër vite. Kemi anuluar projektin strategjik të inicuar nga Amerikanët për gaz-përçues. Kemi injoruar këshillat në dialog, duke i akuzuar diplomatët amerikanë si pro-serbe. Kemi dështuar të fokusohemi në veprimet tona, duke shpenzuar sasi enorme të kohes duke u marrë me Serbinë. Kjo ka qenë kurthë e Serbisë që ta ruan status-quon duke provokuar Kosovën, dhe ne kemi rënë në këtë kurthë. Vetëm shikoni porositë e Senatorit Murphy, Sekretarit Blinken, Ambasadorëve Hill dhe Hovenier, apo në formën më eksplicite ato të ish shift të inteligjencës Richard Grenell, që ndoshta do të jetë Sekretari i ri i shtetit. Jemi prishë me të tont. Koha është të fillojmë jo vetëm të ndreçemi por edhe të veprojmë duke kontribuar në interesat amerikane për të ruajtur interesat e Kosovës dhe shqiptarëve./PERISKOPI

Shpërndaje në: