Zgjedhjet në BE: Emrat e vjetër e të rinj- Von der Leyen, António Costa

Zgjedhjet në BE: Emrat e vjetër e të rinj- Von der Leyen, António Costa

Foto: Nick Gammon/John Thys/AFP/Getty Images

Ujdi për emërimin e Ursula von der Leyen si presidente të Komisionit Europian. Kurse António Costa pritet të vijë në krye të Këshillit të BE. Interesante është se, karriera e portugezit konsiderohej e përfunduar.

Edhe për postin e kreut të Këshillit të BE ka një emër. António Costa, ish-kryeministër portugez. Po kush është António Costa?

Në Portugali atë e quajnë “kafshë politike”. Vërtet António Costa një pjesë të madhe të jetës së tij ia ka kushtuar politikës. Në vitin 1974 si i ri ai përjetoi Revolucionin e Karafilave kundër diktaturës, më pas u aktivizua në organizatën rinore socialiste, si student i juridikut kreu praktikë në kabinetin e presidentit, Jorge Sampaio. António Costa ka qenë deputet portugez, eurodeputet dhe ministër. Ai ka qenë kryetar bashkie i Lisbonës dhe në vition 2015 kryeministër portugez. Në vitin 2022, portugezët  e rizgjodhën me shumicë absolute sërish, por në nëntor 2023 një skandal korrupsioni e nxorri atë jashtë politikës. Prokuroria bëri fjalë për “operacionin influencer”.

Ishte mëngjes i 7 nëntorit, kur prokurorët portugezë i ranë ziles me një urdhër kontrolli për Palacete de São Bento, rezidencën zyrtare të kryeministrit portugez në Lisbonë. Ishte një nga gjithsej 42 kontrolle nëpër ministri, selitë e kompanive, bashki dhe shtëpi private.U arrestuan pesë persona duke përfshirë shefin e zyrës së Costës, Vítor Escária.

Kosta reagoi brenda ditës. Disa orë më vonë, ai i paraqiti dorëheqjen presidentit Marcelo Rebelo de Sousa. Duke folur për mediat, ai u shpreh i habitur nga lajmi se ndaj tij është hapur një çështje penale. Por sigurisht ai është “i gatshëm të bashkëpunojë me gjyqësorin në mënyrë që e gjithë e vërteta të dalë në dritë”. Në të njëjtën kohë, ai njoftoi se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe se donte të përqendrohej në vërtetimin e pafajësisë së tij.

Edhe Socialistët e Portugalisë e shohin Ursula von der Leyen si një presidente të mirë për Komisionin Europian – ashtu si miqtë e saj të partisë spanjolle. Me dyshen Ursula von der Leyen dhe Costa, iberikët shpresojnë për më pak kritere të ashpra në kthimin tek disiplina buxhetore, që mund të ulë rishtazi zhvillimin e mirë aktual ekonomik. Si kryeministër, Costa i dha fund politikave shtrënguese të kursimit me një program të suksesshëm stimulues ekonomik. Kurse von der Leyen më në fund mund të shpresojë për një partner të vërtetë në krye të Këshillit të BE-së, pasi presidenti i mëparshëm i Këshillit, Charles Michel ishte shfaqur gjithmonë e më hapur si rivali i saj./DW/

Shpërndaje në: