Zgjedhja e kryetarit të KPM-së: Prokuroria Themelore konfirmon se po e shqyrton rastin për vepër penale
Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka konfirmuar se po e shqyrton nëse ka elemente të veprës penale, zgjedhja e kryetarit të ri Besnik Berisha në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se për zhvillimet e 17 janarit në KPM, është angazhuar një prokuror.
“Po, jemi në fazën e shqyrtimit, është angazhuar një prokuror, poashtu jemi duke e vlerësuar aspektin e kompetencës, nëse është kompetencë e Prokurorisë sonë apo e Prokurorisë Speciale”, ka konfirmuar Gashi.
Në mbledhjen e fundit të KPM-së, tri ditë para se t’i përfundojë mandati kryetarit Jeton Mehmeti, u zgjodh kryetari i ri.
Por, para se të fillojë mbledhja, juristja e medias, Flutura Kusari reagoi duke thënë se ky proces është i motivuar politikisht dhe po bëhet para se të zgjedhen anëtarët e rinj të KPM-së.
Në atë mbledhje, paraprakisht në rend dite u vendos plotësim-ndryshimi i Rregullores së Punës në nenin 3 “Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarit të KPM-së”, ku u shtua paragrafi 2 me të cilin përcaktohet:
“Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni, zgjedhja e kryetarit, përkatësisht nënkryetarit, mund të bëhet brenda një muaji para skadimit të mandatit të kryetarit, përkatësisht nënkryetarit, veçanërisht për t’u siguruar që KPM nuk mbetet pa kryetar, përkatësisht nënkryetar në raste kur mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”.
“Oligarkët po duan ta kapin KPM-në” – Besnik Berisha flet me gjuhën e Kurtit dhe nuk e mohon këtë