Zërat e shoqërisë

Zërat e shoqërisë

Muajin që lamë pas shënuam Ditën Ndërkombëtare të personave me sindromën Down. Një sërë aktivitetesh u organizuan në kryeqytet, por edhe në qendra të tjera dhe shumë njerëz u bënë pjesë e këtyre organizimeve.

Një nga eventet, që duhet të sjellim sërish në fokus është hapja e kafiterisë X21, në kryeqytet, e cila priti shumë fytyra të njohura dhe qytetarë të tjerë, që iu bashkuan kësaj nisme, për të sensibilizuar dhe përkrahur pjesën tjetër të shoqërisë sonë, personat me sindromën Down.

Sebahate Hajdini Beqiri nga Down Syndrome Kosova na flet më shumë për projektet, qëllimin dhe aktivitetet e institucionit, që drejton.

Gjatë muajit mars u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave me Sindromën Down. Mund të na flisni pak më shumë se cilat ishin aktivitete të cilat e shënuan këtë ditë në Kosovë?

Ne kuadër të shënimit të Ditës Botërore të personave me sindromën Down, ne organizuam fushatën me moton “Zëri Im, Komuniteti iM’’, fushata ngërtheu ne vete një mori aktivitetesh duke filluar me ligjëratat në shkollat fillore në qytetin e Prizrenit, Mitrovicës, Ferizaj etj.

Ligjëratat  kishin për qellim informimin e nxënëseve mbi individët me sindromën Down. Me datën 10 mars, në kuadër të fushatës, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në seancën parlamentare vendosën broshat me moton “Zëri Im, Komuniteti Im”.

Ky aktivitet pati për qëllim dërgimin e mesazhit tek ligjvënësit mbi nevojat e komunitetit, fushata u përcoll me prezantimin e programit artistik në qytetin e Prizrenit ku në këtë program performuan vetë personat me sindromën Down, e gjithë fushata është përcjellë me çorapet shumëngjyrëshe, si DSK  gjatë gjithë fushatës kemi ftuar qytetarët, që të veshin çorapet shumëngjyrëshe në shenjë solidarizimi me individët me sindromën Down.

Përveç aktiviteteve të organizuara nga DSK-ja, fushatës iu bashkuan edhe disa shkolla  nga qyteti i Prishtinës dhe Mitrovicës duke organizuar aktivitete të ndryshme.

Fushata e 21 Marsit është përmbyllur me promovimin e kafiterisë X 21. Në këtë ngjarje pjesëmarrës ishin shumë përfaqësues nga institucionet publike ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare, persona nga fusha e biznesit, shoqërisë civile, bashkëpunëtorë, miq të DSK-es.

Kafiteria ka të inkuadruar 10 persona me sindromën Down, të cilët janë trajnuar dhe po e zotërojnë në mënyrë të pavarur punën brenda kafiterisë. Ne u jemi mirënjohës dhe falënderues të gjithë atyre, që na mbështetën në forma të ndryshme.

Cilat janë disa nga specifikat e institucionit, që drejtoni ju DSK?

Si DSK jemi i vetmi institucion në Kosovë, që përfaqësojmë komunitetin me sindromën Down dhe familjarët e tyre.

Përveç kauzës që kemi ne, gjithashtu  kemi realizuar projekte, që kanë mbështetur jo vetëm personat me sindromën Down, por edhe personat me aftësi të tjera të  kufizuara. Kemi dhënë kontribut shumë të rëndësishëm në krijimin e Forumit Kosovar për Personat me Aftësi të Kufizuara, ku gjithashtu jemi  anëtarë me të drejta të plota.

Në këtë forum kemi dhënë kontribut të rëndësishëm dhe vazhdojmë të japim në shumë procese, që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetës së personave me aftësi të kufizuara. Përveç avokimit, lobimit, shërbimeve brenda programeve tona, jemi të identifikuar si organizatë me shumë aktivitete kreative, aktivitete të cilat prezantojnë vlerat e personave me sindromën Down.

Na flisni pak më shumë për sfidat me të cilat përballeni ju si institucion dhe sa keni gjetur mbështetjen nga institucionet e shtetit dhe akterët e tjerë kompetentë?

Për ne si DSK është shume sfiduese përkrahja jo e vazhdueshme nga institucionet e shtetit  dhe kjo situatë, shpesh po na e rrezikon qëndrueshmërinë e shërbimeve dhe realizmin e aktiviteteve të planifikuara.

 

Na tregoni disa nga të arriturat e DSK-s ?

Po fokusohem në të arriturat vetëm gjatë periudhës Janar- Mars 2017. Sa i përket fushës së shëndetësisë në  kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të DSK-s  dhe klinikave private e dy laboratorëve privat, që nga muaji janar 2017, me institucionet me të cilat kemi nënshkruar marrëveshje, të gjitha shërbimet brenda këtyre institucioneve ofrohen pa pagesë për personat me sindromën Down.

Si DSK në kuadër të projektit të përkrahur nga ATRC dhe mbështetur  nga USAID,  në bashkëpunimin me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenës Sociale, kemi iniciuar krijimin e një ligji, që do t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë personat me aftësi të kufizuara sepse në Kosovë kemi ligje, të cilat nuk janë mirë të harmonizuar njëri me tjetrin, gjithashtu kemi ligje që kanë shumë vështirësi në zbatim dhe ligje të veçanta për grupe të caktuara të personave me aftësi të kufizuara.

Kjo situatë e krijuar na ka nxitur, që të fillojmë procesin e  inicimit të krijimit të ligjit në fjalë dhe gjatë muajit shkurt është finalizuar koncept-dokumenti dhe pritet, që të aprovohet nga Qeveria.

Gjithashtu këtë vit gjatë muajit Mars,  kemi krijuar edhe grupin avokues të të rinjve me sindromën Down dhe anëtarët e këtij grupi do të avokojnë vet për realizimin e të drejtave të tyre. Gjatë muajit mars gjithashtu është bërë përgatitja e 10 personave me  sindromën Down, për angazhimin e tyre në kafiterinë X 21 dhe gjithashtu kemi punësuar dy anëtarët tanë nga Mitrovica në një institucion privat. DSK fushë veprimin e saj e ka të shtrirë në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjakovë, ku ofrohen shërbime për personat me sindromën Down.

Cilat janë projektet që pritni t’i realizoni së shpejti ?

Tashmë kemi dy vite që kemi filluar procesin për ndërtimin e qendrës, që është projekt i përbashkët me Shoqatën Autizmi, qendër kjo e cila do te ofrojë shërbime për personat me sindromën Down dhe Autizëm. Ky projekt vazhdon të mbetet prioritet i DSK-s. Gjithashtu projekt  tjetër i rëndësishëm është finalizimi i ligjit dhe aprovimi nga Kuvendi, do të jemi të fokusuar në qëndrueshmërinë e shërbimeve brenda qendrave tona dhe synojmë zgjerimin e programeve edhe në qytetet në të cilat nuk ofrojmë shërbime direkte për komunitetin.

Shpërndaje në: