Zemra më proteston, por këmbët jo

Një entuziazëm i madh për protestat e studentëve në Shqipëri, vërehet në rrjetet sociale edhe nga kosovarët. Është gjë normale, bashkë me kërkesat normale të studentëve që kanë në Shqipëri.
Por ajo që i mungon Kosovës, përveç mbështetjes për t’ia dhënë Shqipërisë në këtë protestë, është një protestë në Kosovë. Ose, dhjetëra protesta në Kosovë.
Nëse e shikojmë një kronologji protestash në Kosovën e pasluftës, ato kryesisht kanë pasur të bëjnë me çështje si: demarkacioni, Asociacioni, veteranët e luftës. Është interesant se si për tema të tilla, protestat e organizuara kanë mbledhur shumë protestues.
Pra, kanë qenë protesta prej të cilave e ke pritur një farë ndikimi.
Por e kundërta është me protestat që janë organizuar, kryekëput për çështje sociale. Organizohen herë pas here protesta për çmimin e rrymës, protesta për drejtësinë, etj., por këto protesta nuk mbledhin edhe aq protestues. Dhe kur ta shohësh tablonë e përgjithshme të rezultatit që (arrijnë) kanë arritur, është pothuajse një rezultat simbolik. Për të thënë se kemi protestuar. Apo siç është ajo shprehja: e kemi bërë tonën.
Duke qenë gazetarë, ne shpërndajmë pothuajse në baza ditore informacione që do të mund të çonin në çdo ditë të lume në organizime protestash.
Mbaj mend, që kam qenë në orare pune, kur kam publikuar lajme si: Kosova humb miliona euro (në autostrada, në rrymë, në ujë). Skandale në QKUK. Dhuna në familje, e edhe më tej – dhuna ndaj grave. Edhe këtu organizohen protesta shkel – e shko, edhe atë në ndonjë rast kur si pasojë e dhunës kemi edhe viktima.
Në anën tjetër, kur t’a këqyrësh, duke qenë se merremi në baza ditore edhe me reagime të qytetarëve (shohim se si shprehen ndaj lajmeve që publikojmë), në to shihet një mllef i akumuluar prej vitesh, por që nuk e tejkalon tastierën. Pra, ne protestojmë më shumë me tastierë (përfshirë edhe veten, natyrisht, kur po them ne).
Pra, zemra na proteston, por këmbët nuk i kemi gati.
Pse nuk realizohen kërkesat tona të protestave? Klishe të thuhet, por e domosdosdoshme: zbrapsemi shpejt. Lodhemi shpejt nga protestat. Para shumë kohësh, pata lexuar një artikull në një media të huaj (Guardian nëse s’gabohem tash për tash).
Artikulli ishte qëndrim editorial i redaksisë me titull: Pse nuk protestojmë?
Fliste për kulturën e mosorganizimit dhe mosqëndrimit në protestë deri në realizim të kërkesave. Edhe aty, redaksia dilte në këtë përfundim: sepse zemra na proteston, por këmbët jo.