Zelensky: Ukraina ka pak gjasa të mbijetojë pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara

Zelensky: Ukraina ka pak gjasa të mbijetojë pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara

Ukraina do ta ketë “shumë, shumë të vështirë” të mbijetojë pa mbështetjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në luftën e saj kundër pushtimit nga Rusia, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një intervistë të transmetuar natën e 14 shkurtit.

“Mbase do të jetë shumë, shumë, shumë e vështirë. Por, natyrisht, edhe në të gjitha situatat e vështira, gjithmonë e ke një mundësi”, tha Zelensky për NBC News.

“Megjithatë, ne do të kemi pak gjasa – pak gjasa për të mbijetuar pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”, shtoi Zelensky, i cili piritet të mbajë fjalim të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Munih.

Ai theksoi gjithashtu se Ukraina e ka rritur prodhimin e armatimit, por jo mjaftueshëm për ta mbuluar atë që do ta humbiste në rast se nuk e ka më mbështetjen e Shtetet e Bashkuara.

Zelensky mori pjesë në një ditë takimesh dhe konferencash për shtyp në Konferencën e Sigurisë në Munih, më 14 shkurt, në një kohë kur përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë po rriten.

Ai do të jetë në qendër të vëmendjes pasi të takohet me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë nënpresidentin JD Vance, i cili në fjalimin e tij në konferencë më 14 shkurt theksoi nevojën për “paqe të qëndrueshme dhe afatgjate” në Ukrainë.

Zelensky i tha nënpresidentit Vance se Ukraina dëshiron “garanci sigurie” nga Uashingtoni para fillimit të bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës gati trivjeçare.

Në intervistë, Zelensky tha se nuk dëshiron të mendojë për mundësinë që Ukraina të mos jetë partnere strategjike e Shteteve të Bashkuara, pasi kjo do të dëmtonte moralin e Ukrainës, por shtoi: “Ne duhet ta mendojmë këtë”.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar sinjale të përziera për strategjinë e tyre, duke nxitur shqetësime në Kiev se Ukraina mund të detyrohet ta pranojë një marrëveshje të keqe, e cila do t’i jepte guxim Putinit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u tha ministrave të mbrojtjes të NATO-s më herët këtë javë se është “jorealiste” të pritet që kufijtë e Ukrainës të kthehen në gjendjen e para vitit 2014 dhe shtoi se Shtëpia e Bardhë nuk e sheh anëtarësimin e Ukrainës në NATO si pjesë të zgjidhjes së konfliktit.

Ukraina kërkon që Rusia të tërhiqet nga territoret e pushtuara dhe thotë se duhet të anëtarësohet në NATO ose të marrë garanci për sigurinë e saj për të parandaluar një tjetër sulm nga Moska.

Duke folur në Varshavë më 14 shkurt, Hegseth paralajmëroi përsëri se partnerët evropianë të SHBA-së në NATO do të duhet të bëjnë shumë më tepër për mbrojtjen e tyre dhe për të siguruar paqe për Ukrainën në të ardhmen.

Ai gjithashtu argumentoi se nuk është e nevojshme t’i “besosh” presidentit Vladimir Putin për të negociuar me Rusinë.

Dy ditë më parë, presidenti amerikan Donald Trump tha se zhvilloi një telefonatë “të gjatë dhe shumë produktive” me Putinin dhe se u pajtua me të që ekipet e tyre t’i fillojnë menjëherë negociatat.

Zelensky u përgjigj duke thënë se nuk do ta pranonte asnjë marrëveshje të bërë pa përfshirjen e Ukrainës.

I pyetur në intervistë nëse beson se Ukraina do të ishte e cenueshme pas disa vitesh nëse arrihet një armëpushim, Zelensky tha: “Po, mendoj se kjo mund të ndodhë”.

Ai tha se Putini dëshiron të ulet në tryezën e negociatave jo për t’i dhënë fund luftës, por për të arritur një marrëveshje armëpushimi që do t’i lehtësonte disa sanksione ndaj Rusisë dhe do t’i jepte mundësi ushtrisë së Moskës të rigrupohej.

“Kjo është ajo që ai dëshiron vërtet. Ai dëshiron pauzë, përgatitje, stërvitje, heqjen e disa sanksioneve, për shkak të armëpushimit”, tha Zelensky.

Vance, i cili përfaqëson Trumpin në këtë tubim të nivelit të lartë të liderëve botërorë dhe ekspertëve të politikës së jashtme, tha se Shtetet e Bashkuara duan “një lloj paqeje që nuk do të çojë në një konflikt të ri në Evropën Lindore pas disa vitesh”.

Ka pasur një numër “bisedash të mira” me Ukrainën, dhe të tjera do të pasojnë “në ditët, javët dhe muajt në vijim”, tha Vance.

Zelensky u pajtua, duke e quajtur takimin me Vance si “bisedë të mirë” dhe tha se Kievi dëshiron të punojë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, por shtoi se “na duhen garanci të mirëfillta sigurie”./REL/

Shpërndaje në: