Zelensky thotë se 100 vende do të marrin pjesë në samitin për paqe në Zvicër
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u takua me liderët e jashtëm në Singapor të dielën, në prag të samitit vjetor të sigurisë Shangri-La Dialogue, ku kërkoi mbështetje ndërkombëtare para konferencës për paqe që do të mbahet në Zvicër këtë muaj.
Zelensky tha se më shumë se 100 vende dhe organizata janë zotuar se do të marrin pjesë në takimin për paqe në Zvicër më 15-16 qershor.
Rusia nuk ka marrë pjesë në ngjarjen e Singaporit prej se e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022, ndërsa Kina ka thënë se nuk do të marrë pjesë.
Zelensky dhe ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, u takuan në Singapor për më shumë se një orë me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara këtë javë për ta lejuar Kievin t’i godasë caqet brenda Rusisë në mënyrë të kufizuar.
Një zyrtar i Pentagonit tha se Austini e “ritheksoi përkushtimin e SHBA-së për mbështetje të fuqishme” për Ukrainën dhe se të dyja palët u zotuan “për ta përforcuar partneritetin strategjik në mbrojtje”.
Presidenti ukrainas u takua edhe me presidentin e zgjedhur indonezian, Prabowo Subianto, i cili kishte propozuar në samitin e njëjtë vitin e kaluar një plan indonezian për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Është e rëndësishme për ne të fillojmë vendosjen e paqes së drejtë. Rusia nuk dëshiron t’i japë fund luftës. Prandaj, ne duhet të punojmë së bashku patjetër me tërë botën për ta sjellë paqen më afër nesh”, tha Zelensky.
Së fundmi, Zelensky tha se ai nuk i beson presidentit rus Vladimir Putin, pas raportimeve se Bashkimi Evropian po mendon të organizojë bisedime për paqe me Rusinë.
Presidenti ukrainas tha se vendi i tij kishte mbajtur rreth 200 runde bisedimesh me Kremlinin shumë kohë para se Rusia ta fillonte pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, të cilat nuk kishin dhënë asnjë fryt.
Kina, e cila ka thënë se dëshiron paqe në Ukrainë por i ka forcuar marrëdhëniet me Moskën prej se filloi pushtimi, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në samitin zviceran. /REL