Zelensky: NATO-ja është alternativa për të shmangur një tjetër luftë

Zelensky: NATO-ja është alternativa për të shmangur një tjetër luftë

Edhe pasi deklaroi se është i gatshëm të dorëhiqet me kushtin që Ukraina të inkuadrohet në NATO, presidenti Volodymyr Zelensky, ka thënë se Aleanca e Atlantikut të Veriut është opsioni dhe zgjidhja e thjeshtë për vendin e tij.

Zelensky ka shkruar të dielën në rrjetin social X se në rast se Ukraina nuk i bashkohet NATO-s, do të detyrohet të krijojë “NATO-n brenda Ukrainës”. Sipas tij, kjo do të nënkuptonte mbajtjen e një ushtrie mjaft të fortë për të zmbrapsur agresionin.

“NATO-ja është alternativa më ekonomike për të parandaluar një luftë tjetër. Është zgjidhja më e thjeshtë dhe më logjike. Nëse Ukraina nuk i bashkohet NATO-s, ne do të duhet të krijojmë NATO-n brenda Ukrainës, që do të thotë të mbajmë një ushtri mjaft të fortë për të zmbrapsur agresionin, financimin e tij, prodhimin…”, ka shkruar ai.

Zelensky është shprehur se Ukraina ka nevojë për paqe jetëgjatë dhe të besueshme, e kjo sipas tij, mund të arrihet me garanci të fuqive perëndimore.

“Ne duam një marrëveshje të mirë ekonomike që do të jetë pjesë ë një sistemi të vërtetë garancie të sigurisë për Ukrainën dhe botën e lirë. Ekipet tona po punojnë çdo ditë dhe po bëjmë përparim të madh. Ukraina dëshiron marrëveshje të fortë”, ka thënë ai.

Shpërndaje në: