Zelensky: Duam të dyfishojmë aftësitë e mbrojtjes ajrore

Zelensky: Duam të dyfishojmë aftësitë e mbrojtjes ajrore

Presidenti Volodymyr Zelensky, tha se dëshiron të dyfishojë kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës gjatë verës, pasi shteti pranoi sistemin e tretë Patriot nga Gjermania më 5 korrik.

Moska në pranverë rinisi sulmet e saj ajrore ndaj sistemit energjetik të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë.

Zelensky tha se shteti i tij ka nevojë edhe për të paktën shtatë sisteme Patriot – të prodhimit amerikan – për të mbrojtur veten.

“Ua kam caktuar për detyrë ekipit tim që të dyfishojnë aftësitë tona të mbrojtjes gjatë kësaj vere, kryesisht me Patriot dhe [sisteme] të tjera”, tha Zelensky, duke iu referuar sistemit amerikan, Hawk dhe atij gjerman, Iris.

“Tani ne kemi nisur të shohim rezultate”.

Në komentet e tij, që u publikuan në Telegram, Zelensky tha se Ukraina po ashtu të premten pranoi “ndihmë shtesë” nga Shtetet e Bashkuara, por nuk dha detaje.

Ndërkaq, Zelensky po ashtu falënderoi Gjermaninë për sistemin e tretë Patriot që shkoi në Ukrainë.Kievi shpreson që do të arrijë të marrë më shumë mbrojtje ajrore nga mbështetësit e saj gjatë samitit të NATO-s që do të mbahet në Uashington javën e ardhshme. Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Kievi pritet të marrë “lajme të mira” gjatë samitit.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe rregullisht përdor arsenalin e saj me raketa dhe dronë për të kryer sulme ajrore nga distanca./REL

Shpërndaje në: