Zelensky: Armëpushimi të monitorohet me satelitë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se një armëpushim i mundshëm me Rusinë duhet të monitorohet me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, përmes satelitëve dhe inteligjencës.
Zelensky tha se çështja e pushtimit të territoreve ukrainase u diskutua në takimin që delegacioni ukrainas pati me amerikanët në Jeddah të Arabisë Saudite, por se zgjidhja pritet të ketë një “dialog të vështirë”.
Duke iu referuar situatës në Kursk, ai pranoi se situata është “shumë e vështirë” për ushtarët ukrainas të cilët kanë ende nën kontrollin e tyre një pjesë të vogël të këtij rajoni rus.
Ushtria ukrainase ka mohuar megjithatë se forcat e saj janë në rrezik të rrethimit nga ushtria ruse.
“Situata në rajonin e Kurskut është padyshim shumë e vështirë,” tha Zelensky, duke siguruar në të njëjtën kohë se ushtria “i arriti qëllimet e saj” në këtë operacion.
Përkundrazi, situata në frontin e Pokrovsk në Ukrainën lindore është stabilizuar, shtoi ai.
Zelensky siguroi gjithashtu se ai mban marrëdhënie “normale” me homologun e tij amerikan, Donald Trump, pas takimit të tyre të stuhishëm në Shtëpinë e Bardhë në fund të shkurtit.
“Marrëdhëniet e ngushta me SHBA-në janë shumë të rëndësishme për Ukrainën”, tha ai, duke shtuar se “ne kemi nevojë për marrëdhënie normale dhe efektive”.