Zelenskiy thotë se Ukraina duhet të bëjë gjithçka për t’i dhënë fund luftës vitin tjetër
Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se Ukriana duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të arritur që lufta me Rusinë të përfundojë vitin e ardhshëm përmes diplomacisë, një koment që bëhet në një moment vendimtar pas fitores në zgjedhjet presidenciale amerikane të republikanit Donald Trump dhe ndërsa Rusia po bën përparime në fushën e betejës.
Sidoqoftë, presidenti ukrainas dha se udhëheqësi rus Vladimir Putin nuk është i interesuar për të arritur një marrëveshjeje paqeje.
“Sa na takon neve, duhet të bëjmë gjithçka që kjo luftë të përfundojë vitin e ardhshëm, të përfundojë me mjete diplomatike”, tha zoti Zelenskiy në një intervistë në radion ukrainase të transmetuar të shtunën.
Ambasadori i Moskës në Kombet e Bashkuara në Gjenevë tha të enjten se Rusia do të ishte e hapur për negociata për përfundimin e luftës nëse ato do të niseshin nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump, megjithëse sipas tij në bisedime do të duhej të pranoheshin “realitetet territoriale”.
Moska e përdor këtë frazë për të nënkuptuar që Ukraina do të duhet të heqë dorë nga katër rajonet që forcat ruse i kanë pushtuar pjesërisht dhe për të cilat Rusia pretendon kontrollin e plotë.
Presidenti Zelenskiy është shprehur vazhdimisht që kur Rusia nisi agresionin në shkallë të gjerë në shkurt të 2022, se nuk mund të ketë paqe derisa të dëbohen të gjitha forcat ruse dhe të rimerret i gjithë territori i pushtuar nga Moska, përfshirë Krimenë.
Megjithatë, rikthimi tek kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës të vitit 1991 nuk u përmend në “planin e fitores” të Presidentit Zelenskiy, që ai e prezantoi publikisht muajin e kaluar.
Presidenti Zelenskiy tha se lufta kishte të ngjarë të përfundojë më shpejt nën administratën Trump, i cili u shpreh gjatë fushatës së tij se do t’i jepte fund konfliktit me shpejtësi, pa dhënë detaje.
Presidenti Zelenskiy tha se ligji amerikan e pengonte atë të takohej me zotin Trump përpara inaugurimit të tij më 20 janar.
“Ne do të bëjmë gjithçka që varet nga ne (për të siguruar një takim). Ne patëm një takim vërtet të mirë në shtator”, tha Presidenti Zelenskiy, duke shtuar se ai do të bisedonte vetëm me vetë zotin Trump dhe jo me ndonjë të dërguar apo këshilltar./VOA