Zeka: Kompanitë amerikane po i shmangen bashkëpunimit me ato nga Kosova
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Arian Zeka ka thënë se raportet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe ShBA-së, po ndikojnë edhe në investimet e huaja.
Ai ka thënë se ka raste kur kompani amerikane i shmangen bashkëpunimit me ato nga Kosova.
“Kemi raste kur kompani amerikane i shmangen bashkëpunimit me kompani nga Kosova për shkak të situatës së përkeqësuar të sigurisë në dy tri vitet e fundit dhe kjo sërish për shkak të tensioneve në veri të vendit. Pasiguria juridike dhe fizike që përçohet nga vendi ynë kanë ndikim në marrjen e investimeve të huaja meqë janë faktorë të rëndësishëm dhe merren parasysh nga investitorët potencial”, ka thënë Zeka në Tëvë1.
Ai ka thënë se arritja e një marrëveshjes për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ishte në dobi edhe të investimeve nga jashtë, ndërsa e ka vlerësuar jetik koordinimin e qeverisë me aleatët.