Zëdhënësja e KE-së: Përgjegjësit për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc duhet të dalin para drejtësisë
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Punë të Brendshme, Anitta Hipper, ka bërë të ditur se nesër pritet takimi i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian Kaja Kallas me liderët e Serbisë dhe Kosovës.
Duke komentuar incidentin në kanalin Ibër-Lepenc, ajo theksoi se përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë dhe shprehu kënaqësinë që autoritetet e Kosovës kanë nisur hetimet.
Ajo ka theksuar se EULEX-i është duke monitoruar situatën dhe do të ofrojë të gjithë mbështetjen në përputhje me mandatin e tij.
“Kur është fjala për Kosovën, ne lëshuam një deklaratë nga përfaqësuesi i lartë që dënoi sulmet terroriste dhe përshëndeti faktin që autoritetet e Kosovës tani po hetojnë këtë çështje. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Sa i përket EULEX-it, ju e dini se që nga viti 2018, EULEX-i nuk ka më mandat ekzekutiv për të kryer hetimin, por EULEX-i monitoron situatën dhe ka qenë i pranishëm gjatë bastisjes dhe ka ofruar mbështetje. Kjo është diçka që EULEX-i dhe KFOR-i po e bëjnë brenda mandatit të tyre”, tha Hipper.
Ajo ka bërë të ditur se nesër do të mbahet takimi i Përfaqësueses së Lartë të BE-së me liderët e Kosovës dhe Serbisë.
E pyetur nëse takimi i nesërm i përfaqësueses së lartë me liderët e Kosovës dhe Serbisë është pjesë e dialogut, Hiper tha se “takimi nuk është pjesë e dialogut në kuptimin e vërtetë të fjalës”.
Ajo tha se edhe Serbia edhe Kosova duhet të tregojnë vullnet për të bashkëpunuar dhe për të kontribuar në ndriçimin e rastit.
Zëdhënësja e BE’së: Kallas nesër takon liderët e Kosovës dhe Serbisë