Zbulohet një metodë e re për heqjen e tumorit në vesh, pa ndërhyrje në kafkë
Operacioni është kryer me anë të një endoskopi duke bërë një prerje të vogël në kanalin e veshit – procedurë kjo shumë më e lehtë dhe më e shpejtë, sikur edhe shërimi.
Neuromat akustike janë tumore jo-kanceroze që ndikojnë në të dëgjuarit dhe balancin e trupit, ndërsa për heqjen e tyre, duhej hequr një pjesë të kafkës, por si duket hulumtuesit në Teksas kanë gjetur një metodë të re, më të lehtë për heqjen e tyre.
Mjekët në Universitetin e Teksasit, kanë provuar një metodë të re për heqjen e tumorit e cila e bën më të lehtë trajtimin.
Kjo sëmundje është shumë e rrallë – ndodh në vetëm 4 nga 100,000 njerëz, por pavarësisht kësaj është duke shënuar një rritje të ngadalshme. Sëmundja shkakton humbje të dëgjimit dhe marramendje, transmeton lajmi.net
Trajtimi standard përfshinë rrezatimin dhe heqjen e një pjese të kafkës për ta menjanuar tumorin, mënyrë kjo e cila zgjatë shumë dhe është e mundimshme, njësoj sikur shërimi i pacientit pas ndërhyrjes.
Në procedurën e re, mjekët bëjnë një prerje në kanalin e veshit, duke përdorur një aparat fotografik së bashku me një endoskop për ta gjetur dhe hequr tumorin.
Pacientja e parë e trajtuar me këtë metodë është Ana Placencia, e cila është liruar nga spitali afër gjysmën e kohës më herët sesa që do të lirohej nga mënyra normale e trajtimit.
Sipas mjekëve, ajo pritet të ketë më pak dhimbje dhe shërimi do të jetë shumë më i shpejtë.