Zbulohet data kur Reali pritet ta zyrtarizojë Mbappen
Kylian Mbappe e zyrtarizoi së fundmi largimin nga Paris Saint-Germaini në fund të sezonit.
E të gjithë po e presin zyrtarizimin e klubit të tij të ri, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë Real Madridi.
Sigurisht, siç raporton mediumi francez “RMC Sport”, transferimi i tij nuk do të bëhet publik para finales së Ligës së Kampionëve, e cila do të luhet më 1 qershor, përcjell “Gazeta Express”.
Transferimi i tij tek “Los Blancos” më saktësisht do të bëhet zyrtar më 3 qershor.
Sa i përket prezantimit të tij, duhet të pritet muaji gusht, kur edhe do të jenë prezentë plot 80 mijë persona në stadium, pastaj sponsorët, por edhe Zinedine Zidane në një “Santiago Bernabeu” të ri.
Javier Tebas, president i La Ligas, e ka dhënë sot një intervistë për të përditshmen argjentinase “Olé”, në të cilën e ka bërë “zyrtarizimin” e Mbappes.
“Mbappe do të vijë në Madrid nga sezoni i ardhshëm. Është njëri prej lojtarëve më të mirë në botë, por janë edhe Vinicius e Bellingham. Reali do ta ketë një skuadër të madhe. Është e qartë se kjo nuk jep garanci për ta fituar kampionatin”, deklaroi Tebas.
Kurse, ish-futbollisti i Monacos i është shmangur pyetjes për klubin e ri.
“Kur do ta zbuloj klubin tim të ri? Në jetë duhet të marrësh kohë për gjithçka. Gjëja e vetme për ta ditur është se do të largohem nga PSG-ja. Për pjesën tjetër ndoshta nuk është momenti i duhur për ta zbuluar”, deklaroi Mbappe për “RMC Sport”.