Ylli i Lea Ypit që ngroh Ramën por nuk ndriçon dot mbi marksistët e Shqipërisë

Ylli i Lea Ypit që ngroh Ramën por nuk ndriçon dot mbi marksistët e Shqipërisë

Nga: Desada Metaj

Duhet ta pranoj që dy orë bisedë në podacst mes Lea Ypit dhe Arlind Qorit kërkojnë më shumë durim sesa vëmendje. Por, në kushtet e Shqipërisë, me një vakum të qartë të mendimit politik, u përqendrova për të dëgjuar dhe për të gjetur ndonjë shkëndijë mendimi ndryshe. Mendim që mund të ndihmojë këtë vend në daljen nga boshllëku dhe kaosi i teorive. Edhe pse nuk janë teoritë që nuk janë problemi kryesor i gjendjes së Shqipërisë sot.

Për më shumë se gjysën orën e parë bashkëbiseduesit ndanë mendime për filozofinë e John Rawls-it, filozof që ka pasur një ndikim të thellë në diskutimet për drejtësinë shoqërore, politikën dhe barazinë. Në gjysmën e dytë të bisedës ata u ndalën gjatë tek një tjetër revolucionare e majtë, Rosa Luxemburg, një filozofe, teoriciene marksiste dhe aktiviste politike polake-gjermane. Pa dyshim në bisedën e tyre nuk mungoi as Marksi.

Për dy pedagogë të filozofisë, diskutimi i teorive dhe teoricienëve klasikë apo të vjetëruar të së majtës mund të kapërdihet vetëm nëse kontekstualizohet me kushtet e Shqipërisë — një vend që ka vuajtur më shumë se çdo tjetër pasojat e një teorie që, në praktikë, solli masakër njerëzore dhe mungesë totale lirish. Kjo nuk ndodhi. Por duke marrë të mirëqenë se teoritë mund të diskutohen edhe në kushte “laboratorike”, vazhdova të ndjek me durim bisedën mes Arlind Qorrit dhe Lea Ypit për të parë se çfarë ideje kanë këta dy mendimtarë të së majtës shqiptare për zhvillimet dhe situatën në Shqipëri.

Edhe në orën e dytë të bisedës, pas ndërhyrjeve elegante të Arlind Qorit për të folur për dinamikën e së majtës në Shqipërinë postkomuniste, pedagogia e LSE-së nuk arriti të artikulojë asnjë mendim, aq më pak të përmendë emrin e Edi Ramës, si njeriu që praktikisht drejton PS. Në teoritë e lëvruara në podcast-in e tyre, PS u përshkrua si një parti neoliberale pa asnjë qasje në të majtën tradicionale, por se kush ishte shkaktar për këtë devijim ideologjik nuk foli askush.Madje u përmend gjatë edhe klasa punëtore, për të cilën Arlind Qori shprehu shqetësimin se në Shqipëri nuk trajtohet me respektin e duhur. Por për zonjën Ypi, shtypja e klasës punëtore është një dinamikë e njohur – “edhe në Angli, edhe në Kongo klasa punëtore është e keqtrajtuar, ndonëse në mënyrë të ndryshme” -tha ajo – pa thënë ndonjë gjë konkrete për klasën punëtore në Shqipëri, që ishte dhe shqetësimi kryesor i kryetarit të Lëvizjes Bashkë.

Edhe pas ngacmimit të Qorit për protestën e studentëve të disa viteve më parë, profesorja Ypi nuk pati ndonjë mendim për rolin e qeverisë dhe Edi Ramës. Ndonëse sipas saj, teorikisht, arsimi dhe shëndetësia falas janë diçka që popujt në botë e meritojnë. Biseda u bë disi më interesante për librin tashmë të famshëm “Të Lirë,” që sipas autores nuk është pritur mirë në Shqipëri, sepse, sipas saj, lexuesit mendojnë se teoritë marksiste të nxitura nga libri mund të rrezikojnë kthimin e Shqipërisë në komunizëm. Në fakt, disi e pasinqertë në këtë konstatim, Lea Ypi harron ndoshta me qëllim se kritika kryesore për librin e saj në Shqipëri kishte të bënte me pasqyrimin ekzotik të komunizmit në një vend ku mijëra njerëz u vranë, u internuan dhe u përsekutuan për pak liri mendimi. Përveç kësaj, libri tashmë i famshëm në Europë dhe më gjerë, në Shqipëri u paketua dhe marketua nga vetë kryeministri. Ndërsa në ceremoninë e prezantimit nuk munguan të flisnin Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali, të cilët, sipas asaj që dëgjoj rregullisht nga Arlind Qori, janë dhe shkatërruesit e ideologjisë majtiste dhe shkaktarët e vuajtjeve të klasës punëtore.

Duke u përfshirë në dinamikën e përditshme të zhvillimeve në Shqipëri, ndoshta për ne që jetojmë këtu është e pamundur të shkëputemi dhe të gjykojmë me ftohtësi për teoritë dhe mundësitë e daljes nga kjo “thatësirë” mendimi politik. Për çudi, këtë vështirësi e pati edhe Lea Ypi. Ndërsa ne turremi të rendisim kriminalizimin e politikës dhe korrupsionin qeveritar si shkak kryesor të situatës, zonja Ypi renditi si problematikë të qeverisë Rama marrëveshjen për emigrantët e paligjshëm me Giorgia Melonin. Ajo nuk arriti të përmendte emrin e nënshkruesit, Edi Ramën. Në fakt nuk ka nevojë të përfundosh studime të thelluara filozofie për të kuptuar se për të arritur këtë shkallë arrogance për këtë marrveshje Edi Ramës i është dashur të shkelë mbi shumë ligje dhe parime, jo vetëm politike. Diçka në fund u përmend edhe për idenë e kryeministrit për “shtetin bektashi,” ide të cilën Lea Ypi nuk e kishte procesuar ende dhe shpresonte të ishte një diversion i qeverisë, pa analizuar pse i duhet dhe përse i shërben Edi Ramës ky diversion.

Në fund të një bisede dyorëshe, e pata të vështirë të kuptoja arsyen e vërtetë të përballjes së teorive mes dy filozofëve më në zë të së majtës në Shqipëri. Ndërsa njëri prej tyre drejton një lëvizje që do të garojë në zgjedhjet e ardhshme me logo dhe program, natyrshëm lind pyetja: a mos po bëhen edhe përfaqësuesit e së majtës radikale në Shqipëri një zgjatim i marksizmit të Lea Ypit, ku teoritë e paketuara me marketing qeveritar janë alternativë politike? Nëse një grup si “Lëvizja Bashkë,” që pretendon se mbron të drejtat e klasës punëtore dhe i ka shpallur luftë oligarkëve dhe qeverisë, kompleksohet dhe nuk arrin të artikulojë një qëndrim aktual politik përballë Lea Ypit, mos do të thotë se edhe radikalët e majtë preferojnë lavdinë më shumë se hallet e klasës së shtypur?

Ky padyshim nuk është shqetësimi im personal për një grup politik që përfaqëson për mendimin tim personal një teori të vjetruar politike, dështimi i së cilës në praktikë është fakt i pamohueshëm. Shqetësimi i vetëm në këtë rast është fakti që në Shqipëri, grupimet e reja që pretendojnë se sjellin diçka ndryshe nga ajo që klasa aktuale politike na rëndon në kurriz, nuk janë ende në gjendje të kapërcejnë egon personale në përmbushje të premtimeve publike. Nëse Arlind Qori ka të drejtë apo jo kur i turret grupeve të reja të Lapajt dhe Shabanit se janë peng i interesave të oligarkëve, këtë do ta vendosë publiku me votë në zgjedhjet e ardhshme. Por që Arlind Qori të mos arrijë të pyesë Lea Ypin për mendimin (apo qëndrimin) e saj mbi mënyrën si e shtyp Rama klasën punëtore, këtë e kupton edhe dikush me fillore. Sa për Lean, le ta lëmë të teorizojë mbi marksizmin dhe të përfundojë librin e saj të dytë, për të cilin Edi Rama pa dyshim do të ketë ide më origjinale promovimi se ai i librit të parë, në shtëpinë e ish-diktatorit.

Shpërndaje në: