“Ylli i Javës në Superligë” shpallet Endrit Krasniqi i Prishtinës
Futbollisti i Prishtinës, Endrit Krasniqi është shpallur “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës.
Krasniqi zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë ndaj Llapit dhe FFK ka vendosur që ai të shpallet më i miri i kësaj jave.
Mesfushori realizoi golin e dytë ndaj Llapit.Ja njoftimi i FFK’së:
“Endrit Krasniqi “Ylli i Javës”⭐️
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall , vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë.
Çmimi i më të mirit për javën e 13-të i takon futbollistit të FC Prishtina, Endrit Krasniqi.
Për futbollistin bardhekaltër kjo është hera e dytë që e fiton këtë çmim në këtë edicion. Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Lulzim Rrmoku, Skender Kapra dhe Flamur Sinani.
Endrit Krasniqi u vlerësua për paraqitjen e mirë dhe për golin që e vulosi fitoren e Prishtinës në duel me Llapin (2:0) në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Çmimin “Ylli i Javës” për Endrit Krasniqin e ndau Rinor Bekteshi, menaxher për blerje dhe furnizim në ‘Albi Mall’.
Pas marrjes së çmimit, Krasniqi u shpreh i lumtur që vitrinës së tij të trofeve personal ia shtoi edhe një tjetër çmim të ‘Yllit të Javës’. “Ky është një çmim i rëndësishem për mua, pasi atë dëshirojnë ta fitojnë të gjithë futbollistët që janë pjesë e elitës. Kjo është hera e dytë gjatë këtij edicioni që shpërblehem me këtë çmim dhe shpresoj ta fitoj edhe herave tjera. FC Prishtina tashmë e ka kapur një seri pozitive të rezulateve, gjatë të cilës periudhë përveç punës sonë të madhe e kemi pasur përkrah edhe fatin. Uroj që të vazhdojmë me rezultate pozitive dhe dua t’i falënderoj të gjithë bashkëlojtarët dhe stafin për mbeshtetje”, ka theksuar Endrit Krasniqi për faqen zyrtare të FFK-së”.