Yamal e synon Botërorin, Championsin e Topin e Artë

Yamal e synon Botërorin, Championsin e Topin e Artë

Lamine Yamal është fitues i çmimit “Golden Boy”.

Ndërkohë, ylli i ri i Barcelonës e ka dhënë një intervistë për mediumin italian “Tuttosport”, përmes së cilit i ka zbuluar synimet e tij në karrierë.

Ylli i Euro 2024 nuk e ka fshehur dëshirën dhe ëndrrën për ta fituar edhe Kampionatin Botëror me “Stuhinë e Kuqe”, por edhe Ligën e Kampionëve me Barçën.

Madje, këto synime ia ka vënë vetes që t’i arrijë ende pa i mbushur 21 vjet.

“Nëse fitoj me Barcelonën, mbi të gjitha Championsin, do ta kem mundësinë ta synoj edhe trofeun individual që e kurorëzon karrierën e një lojtari: Topin e Artë. Asnjë lojtar nuk fiton çmime individuale nëse nuk arrin të fitojë asgjë kolektivisht me skuadrën. Kështu që, duke fituar në nivelin kolektiv do të jem më afër çmimeve individuale sepse janë njëra që lidhen me tjetrën”, u shpreh fillimisht futbollisti ofanziv.

“Para se t’i bëj 21 vjet, objektiv imi është që ta fitoj Botërorin me Spanjën dhe Ligën e Kampionëve dhe dy tituj të tjerë të ligës me Barcelonën”, vazhdoi ai përcjell Express.

Yamal ndihet mirë që në moshën 17 vjeçare të jetë në gjendje ta fitojë çmimin e “Djaloshit të Artë”, të cilin në të kaluarën e kanë fituar yje të futbollit botëror.

“Një lumturi e madhe, një nder. Është hapi i parë i një karriere të madhe të cilën shpresoj ta kem. Edhe pse e di mirë se çmimet individuale janë fëmijë të atyre kolektive. Kështu që unë dua të vazhdoj të bëj mirë me Barcelonën dhe me Spanjën në mënyrë që të akumuloj trofe të tjerë. Të skuadrës dhe individualë. Dhe, fitimi i ‘Golden Boy’ është një pikë e mirë nisme për një lojtar të ri. Të gjithë djelmoshat e botës synojnë ta fitojnë atë”, përfundoi Yamal.

Shpërndaje në: