Jakova Xoxa, Acta fabula te ‘Lulja e kripës’

Jakova Xoxa, Acta fabula te ‘Lulja e kripës’

Nuk është një detyrë kaq e lehtë të flasësh për veprën e Jakov Xoxës dhe, në veçanti për Lulet e kripës. Leximi i saj na shpie në vende dhe në kohë të tjera, na bën të udhëtojmë dhe të jetojmë në universin e personazheve të saj. Ajo është e gjerë dhe e shtruar dhe rrjedh si vetë jet

Çdo autor zotëron mënyrën e tij për të ngjyrosur tekstin, për ta bërë atë të veçantë. Dhe meqenëse do të përqendrohem më shumë te stili, do të theksoja që në krye se stili i këtij shkrimtari dallohet veçanërisht nga pikëpamja narrative dhe poetike, që e nxit imagjinatën e lexuesit, për të ilustruar një ide apo thjesht për të zgjuar kureshtjen e tij. E dimë se për të përcaktuar stilin e një autori, ne vëzhgojmë tre elementët bazë: regjistrin gjuhësor, procesin letrar dhe figuracionin. Do të thoshja se janë pikërisht këto tri instrumente artistike e stilistikore të përdorura në mënyrë aq origjinale, që e bëjnë të mundur përsosjen e kësaj vepre.

Duke u nisur që nga pasuria gjuhësore, leksiku i përdorur nga autori në nivele të ndryshme e të shumta – na ndihmon që të vërejmë një karakteristikë të tijën thelbësore: fjalori i përdorur nga personazhet e tij si Miltoja, Petriti, Paci, Arhondi, Ermioni, Gruaja e Mallkimit, apo Arta apo Pavllo Dosari e të tjerë personazhe të shumtë që ka romani  dhe me të cilët ne rrugëtojmë gjatë, shpërndahet në disa forma: në gjuhën popullore, të personazheve më të thjeshtë, por plot ngjyrime origjinale, me zhargon, herë-herë me sintaksë  të shtrembëruar e kohë foljesh të deformuara; gjuha e përditshme, që respekton më mirë sintaksën dhe rregullat gjuhësore, gjuha korrekte, që e flasin personazhet më të ngritur nga ana kulturore dhe gjuha  e përpunuar – nganjëherë letrare dhe e kërkuar – sipas personazhit e kontekstit, me një sintaksë shumë më komplekse. E përmenda këtë veçori të stilit – që është gjuha, sepse është vërtet mjaft spikatëse te ky roman – siç është edhe te veprat e tjera të Xoxës, por këtu, duket sikur autori i ka kushtuar një vëmendje  më të madhe e më të kujdesur.

Për sa i përket procesit letrar, janë mjaft shprehës dialogjet dhe monologët, që hedhin dritë jo vetëm mbi karakterin e personazheve, por edhe në marrëdhëniet që ata kanë mes tyre. Në këtë roman dialogjet janë të një bukurie të rrallë, në kuptimin e mjeshtërisë artistike. Le të kujtojmë vetëm dialogjet midis Miltos dhe të tjerëve, ku ky personazh, i cili nuk shpaloset përnjëherësh, por dalëngadalë, se si zbulojnë njëkohësisht edhe të tjerët që lidhen me të, mendësinë e kohës po edhe ndryshimet dhe kontradiktat në këtë mendësi. Fjala, mendimi në këtë roman lëviz siç lëviz edhe vetë rrjedha e kohës, nuk qëndron në vend. Ndryshon tek ndryshon shoqëria në ujdhesën Naforë, në kripore. Ndërsa monologjet – më të paktë – japin gjendjen shpirtërore dhe të ndërgjegjes së personazhit, që ndjek gjithashtu kohën. Narracioni ndryshon sipas epokës; ai është më i shtruar në fillim, rëndohet nga mesi i romanit dhe merr ritëm të vrullshëm sidomos në periudhën e rezistencës ndaj pushtimit italian.

Narratori nuk është një nga personazhet e librit, sepse rrëfimi vjen në vetën e tretë, pra nuk merr pjesë në veprim. Ai është një vëzhgues i jashtëm, por njëjësohet me lexuesin. Ky proces nuk ndodh shpesh, por te Lulet e kripës lexuesi përfshihet habitshëm me ngjarjet, sikur është pjesë e asaj jete që po lexon, pavarësisht se asgjë nuk e shtyn që të ndihet i tillë në mënyrë artificiale.  Ndoshta, sepse procesi letrar i Xoxës, përmes përshkrimit dhe portretizimit i lejon lexuesit të përfytyrojë, të marrë pjesë në ngjarjet e subjektit dhe t’i përjetojë ato me mendje. Sepse përshkrimi në këtë roman, qoftë i natyrës apo i personazheve dhe sjelljeve të tyre është në majat e mjeshtërisë letrare. Ai e ul dhe e ngre ritmin sipas ngjarjes, kuptohet, po edhe sipas kontekstit gjeografik, shoqëror e politik.

Shpesh, Xoxa përdor digresionin për të shpjeguar ngjarje e karaktere të ndryshme, suspansën, gjatësinë e frazës, hiperbolën, perifrazat, përsëritjen e të njëjtës shprehje apo të të njëjtës strukturë gjuhësore për të krijuar ritmin që dëshiron në subjekt apo për të theksuar një element të caktuar. Meqenëse ky roman, veçanërisht, anon nga realizmi magjik, nuk janë të rralla kontrastet, metaforat, paradokset, ngjashmëritë e krahasimet midis ideve, personave, sendeve, kafshëve…Lexuesi endet mes një realiteti virtual të prekshëm, ku gjithçka mund të ndodhë dhe gjithçka përsëri të mbetet një ëndërr e parealizuar. Dhe, Jakov Xoxa këtë teknikë e ka përdorur në një periudhë kohore censurimi të metodës së realizmit socialist sa është gati e pabesueshme se si ai ka mundur të shkruajë në libër të tillë, larg skemës dhe dogmës, duke nxjerrë nga duart një vepër me vlera të gjithhershme.

Stili i tij është i këndshëm në të lexuar, herë dramatik e herë humoristik, herë realist, romantik, herë konvencional e pretencioz, po edhe piktoresk e i gjallë, duke krijuar atmosferë dhe personazhe të përpunuar deri në skajshmërinë më të thellë, në detajet më të hollësishme, por kurrë të tepërta apo të gjata pa nevojë.

Concernant ces publicités

Stili pra, acta fabula e një vepre nuk është thjesht faza e fundit e ornamentale e veprës, por është vetë vepra. Lulet e kripës, ashtu si vetë autori i saj, nuk mund të kuptohet pa këtë stil të veçantë, që mund të quhet epik, sa edhe lirik. Sepse, siç, kanë shkruar shpesh kritikët, stili është ai shndërrim me të cilin shkrimtari bluan lëndën e botës dhe të jetës. Madje, do të shkoja dhe më tej dhe do të thoja, se Jakov Xoxa në një kohë kur idealizmi e kishte humbur kuptimin, i spekuluar dhe i shtrembëruar solli në letërsinë shqipe,  një vepër me prirje thellësisht idealiste. Njëherazi për vërtetësinë dhe për projektimin e realitetit.

Asnjëherë vepra e një autori të rëndësishëm si Jakov Xoxa nuk mund të shihet e shkëputur nga tërësia e saj. Përçapjet që bëjmë me stilin apo me procesin letrar janë më shumë analiza të diktuara nga dëshira për t’i hyrë sa më thellë veprës, për të kuptuar mekanizmin e suksesit, që duke rrëfyer një botë të hidhur, shpesh mizore e absurde, gjen shtigjet e lirisë individuale e jo vetëm kolektive, rrëfyer me mjeshtërinë e shkrimtarit të madh. Që kërkon jo vetëm të rrëfejë një epokë, por të kërkojë të ndjekë e të kuptojë rrugën e burrave dhe të grave të Shqipërisë së viteve ’30-40 drejt njohjes dhe ekzistencës së ndërgjegjshme.

Lulet e kripës na jep tablonë e gjerë e shumëdimensionale të jetës së shoqërisë shqiptare rurale pak përpara shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, mes luftës italo-greke dhe fillimit të rezistencës antifashiste. E jep me forcë të madhe, me talentin e tij narrativ dhe me zhbirimin që i bën shpirtit njerëzor. Nuk besoj se në traditën tonë letrare të shekullit të njëzetë e më tej ne kemi një shkrimtar tjetër si Jakov Xoxa që të ketë pikturuar këtë tablo jetësore me kaq shumëllojshmëri, vërtetësi e thellësi, me personazhe me një liri të tillë shpirtërore.  Do të shtoja se edhe ribotimi dhe përkujdesja e përkorë e Arben Xoxës, i ka dhënë dorën e fundit shkëlqimtare kësaj vepre.

Shpërndaje në: